Rritje e lejeve vjetore në administratë: Skema për fushatë e PS-së në zgjedhjet e 11 Majit

Shkruar nga: A Naçi | Publikuar më: 09.12.2025, 19:45

Mëngjesin e ftohtë të 20 janarit 2025, telefoni i Albanit, një zyrtar vendor në një bashki në jug të Shqipërisë, u ndriçua nga një mesazh. Ishte nga eprori i tij. Udhëzimi ishte i prerë: “Duhet që të marrësh lejen vjetore, do angazhohemi në fushatë.”

Albani, si mijëra të tjerë, kërkoi zyrtarisht lejen vjetore një ditë më vonë. Por në vend që të pushonte, ai ndërroi zyrën e tij të përditshme me shtabet elektorale të Partisë Socialiste. Ai zbriti në terren, jo për të kryer detyrat e administratës, por për t’u bërë pjesë e një makinerie të mirëorganizuar votash. Puna e tij ishte "krehja e listës së zgjedhësve."

“Puna jonë ishte shumë e qartë, në zyrat elektorale të PS filtronim të gjitha listat e zgjedhësve. Kemi analizuar çdo emër dhe kemi bërë ndarjet përkatëse,” tregon Albani në kushtet e anonimatit.

Fluksi i lejeve vjetore flet vetë

Ajo që përjetoi Albani nuk ishte një rast i izoluar. Gjetjet investigative të BIRN-it, të siguruara përmes Ligjit për të Drejtën e Informimit, zbuluan një skemë të gjerë dhe të koordinuar.

Në periudhën janar – prill 2025, kohë që përkon me ndezjen e motorëve të fushatës elektorale, pati një rritje drastike të lejeve vjetore në administratën publike qendrore dhe lokale. Në total, nga 20 institucione kryesore, 5,673 punonjës morën leje vjetore, ose 40% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit jozgjedhor 2024. Ky fluks filloi në janar dhe kulmoi në shkurt e mars, duke konfirmuar angazhimin e Partisë Socialiste disa muaj përpara fushatës zyrtare.

Institucionet kryesore të përfshira ishin Bashkia e Tiranës (me një rritje 30%), Ministria e Inovacionit dhe Kulturës dhe ajo e Mjedisit. Në disa bashki, më shumë se gjysma e stafit rezultonte me leje vjetore, duke lënë dyshime të forta mbi përdorimin e burimeve njerëzore shtetërore për qëllime partiake.

Patronazhimi i diasporës me tollona

Pjesë e këtij angazhimi ishte dhe vota e diasporës, e shpallur si objektiv kyç nga Kryeministri Edi Rama. Për të realizuar këtë, drejtuesit politikë të qarqeve iu drejtuan sërish punonjësve të administratës.

Mandi, një tjetër zyrtar i pushtetit vendor, kujton urdhrin: “Më thanë merre lejen dhe shko në Greqi. Duhet të takosh disa njerëz tanët atje.”

Ai dhe grupi i tij shfrytëzuan lejen vjetore për të udhëtuar drejt Greqisë dhe Italisë. Për të mbuluar shpenzimet e udhëtimit, Mandi shpjegoi se merrnin tollona karburanti me tepri, të cilat më pas i shisnin për të siguruar paratë për qëndrimin jashtë vendit. Në Athinë, Mandi dhe kolegë të tjerë, si Genti, ngritën zyra elektorale, punuan me listat e votuesve të siguruara nga familjarët në Shqipëri dhe ndihmuan emigrantët të regjistroheshin në platformën e KQZ-së.

Një krizë e cilësisë së politikës

Ekspertët theksojnë se kjo nuk është thjesht një çështje e administrimit zgjedhor, por një krizë politike që ndikon drejtpërdrejt në demokracinë e vendit.

Afrim Krasniqi (Instituti i Studimeve Politike) shprehet se përdorimi i burimeve shtetërore është kthyer në "normalitet" dhe thekson: "Ndikimi është statistikor në vota dhe përmbajtësor në cilësinë e politikës dhe parlamentit."

Gerta Meta (Shoqata për Kulturë Demokratike) paralajmëron se kjo praktikë “deformon barazinë mes garuesve, krijon presion te punonjësit dhe te votuesit”.

Sipas saj dhe ekspertëve të tjerë, zgjidhja qëndron te depolitizimi real i administratës përmes rekrutimit me meritë, forcimi i kontrollit institucional dhe rritja e sanksioneve, duke përfshirë përgjegjësinë ligjore deri te titullarët e institucioneve publike.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit