Vrasja e Erion Bobës, sherri nisi në TikTok mes shokut të tij dhe vëllait të autorit

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 09.12.2025, 15:35

Një konflikt i nisur në rrjetin social TikTok, i cili përdoret ilegalisht nga të miturit në vend, përfundoi me vrasjen e 15-vjeçarit Erion Boba, nxënës i vitit të parë në shkollën “Dom Nikoll Kaçori”, në ish-kënetën e Durrësit.

Sipas burimeve të grupit hetimor për mediat, më 25 nëntor rreth orës 14:00, Erioni dhe dy shokë mbërritën me makinë në një kryqëzim. Pas tyre erdhën tre të mitur nga një grup tjetër, mes tyre edhe 14-vjeçari, i dyshuar për vrasjen. Ajo që vihet re është liria me të cilën të miturit lëvizin me makina, megjithëse mosha ligjore për drejtim është 18 vjeç.

Pas daljes nga makinat, të dyja grupet u përfshinë në sherr me grushte, ristela, dërrasa dhe bishtat e çadrave. Hetuesit nuk janë të sigurt se kush mbante saktësisht sendet e forta, por dihet se 14-vjeçari goditi 15-vjeçarin Erion katër herë me thikë, dy prej të cilave në zemër. Në vendngjarje nuk kishte kamera, por dëshmitarë okularë kanë ndihmuar hetuesit të kuptojnë dinamikën e ngjarjes.

Pas konfliktit, 14-vjeçari dhe dy shokët e tij u larguan dhe morën me vete armën e krimit. Policia e Durrësit e arrestoi të miturin një ditë më vonë ndërsa thika u gjet e pastruar në makinë. Hetuesit zbuluan se konflikti kishte nisur mes shokut të Erionit dhe vëllait të autorit, ndërsa të dy të rinjtë që përfunduan në përplasje nuk kishin konflikte personale.

Deklaratat e të miturve kanë qenë kontradiktore, dhe hetuesit pritet t’i rikthejnë në pyetje për të sqaruar përgjegjësitë. Stafi pedagogjik i shkollës tha se nuk kishte pasur dijeni për konflikte dhe brenda shkollës nuk kishte ndodhur ndonjë incident.

Erion Boba ndërroi jetë pas 9 ditësh në spital dhe u varros më 5 dhjetor në Bulqizë, qytetin e tij të lindjes. Familja ka kërkuar drejtësi për të birin.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit