Autoritetet greke arrestuan gjashtë persona dy grekë dhe katër shqiptarë si pjesë e një organizate kriminale të specializuar në vrasje me pagesë. Grupi dyshohet se ka tentuar të vrasë biznesmenin Giannis Lalas në maj 2025, atentat që u krye nga katër shqiptarë, mes tyre edhe individi i njohur me nofkën “Demos”, i konsideruar një nga kriminelët më të rrezikshëm të mafies greke. Atentati i atëhershëm dështoi falë makinës së blinduar të Lalas.
Giannis Lalas ishte një personazh i njohur në botën e krimit në Greqi, i dyshuar për zhvatje, kontrabandë karburanti dhe lidhje me grindje të shumta mes grupeve kriminale. Ai ishte përfshirë edhe si i dyshuar në vrasjen e gazetarit investigativ Giorgos Karaivaz në vitin 2021 dhe të boksierit Haris Kontogiorgis në vitin 2024, por në të dyja rastet u lirua për mungesë provash. Së fundmi, Lalas kishte krijuar marrëdhënie me një organizatë kriminale ruse të quajtur “Entik”, e cila ndodhet në konflikt me grupet greke për kontrollin e kontrabandës së cigareve.
Më 1 nëntor 2025, Lalas u ekzekutua me breshëri armësh në dhomën e hotelit ku po qëndronte në Arahova. Afër vendit të ngjarjes u gjet një automjet i djegur që dyshohet se i përkiste autorëve. Policia greke e konsideron vrasjen si “larje hesapesh”, pasi Lalas mendohet se zotëronte informacion të rëndësishëm për botën e krimit në vend.