Prindërit e Martin Canit kanë reaguar pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila dënoi me 16 vite burg Mario Përlleshajn, duke e cilësuar këtë si momentin e parë pas një viti dhimbjeje ku kanë ndier drejtësi. Ata përshëndetën faktin që gjykata nuk ndoqi rekomandimin e Prokurorisë, por e trajtoi ngjarjen si dy vepra të veçanta penale, vrasjen e Martin Canit dhe tentativën për vrasje ndaj Luis Meçjes, duke e vlerësuar vendimin si profesional, të drejtë dhe të guximshëm, pasi pasqyroi realisht rrethanat ku dy të mitur u goditën me thikë në dy episode të ndryshme. Prindërit shprehën mirënjohje për integritetin e trupës gjykuese dhe u shprehën se, edhe pse ky vendim nuk ua kthen dot djalin, dhimbja e tyre u mor në konsideratë dhe rasti u trajtua me seriozitet.
Deklarata e familjes:
Sot, pas një viti dhimbjeje që nuk përshkruhet me fjalë, ne — familja e Martin Canit — kemi parë për herë të parë një rreze të fortë drejtësie.
Gjykata vendosi të mos ndjekë rekomandimin e Prokurorisë, e cila e trajtoi ngjarjen si një vepër të vetme penale por e njohu qartë atë që ne e kemi thënë që në ditën e parë: janë DY vepra penale — vrasja e Martinit dhe tentativë vrasje ndaj Luisit.
Ky vendim është një akt kurajoz, profesional dhe i drejtë.
Është një vlerësim real i asaj që ndodhi: dy fëmijë të goditur me thikë, dy akte të veçanta dhune, dy qëllime kriminale të ndara.
I falenderojmë gjyqtarët për integritetin dhe ndershmërinë e tyre, që zgjodhën të shohin të vërtetën dhe jo rrugën më të lehtë procedurale.
Ky vendim nuk na e kthen dot Martinin, por na jep një ndjenjë të thellë se dhimbja jonë nuk u shpërfill dhe se jeta e tij u trajtua me peshën dhe dinjitetin që meriton.
Sot, Martini është më i gjallë se kurrë në ndërgjegjen e shoqërisë.
Ne do të vazhdojmë misionin tone me:
-Muzeun “Martin Cani”, një vend i kujtesës dhe edukimit. -Filmin mbi jetën e tij, që do të mbajë gjallë ëndrrën e tij të futbollit dhe të ardhmes që nuk arriti ta jetojë. -Fondacionin Martin Cani, që do të luftojë për sigurinë e fëmijëve në shkolla, që askush të mos përjetojë atë që kaluam ne. -Falënderojmë të gjithë qytetarët që kanë qëndruar pranë nesh.
Sot, drejtësia foli me zë të qartë për Martin Canin.