Banorët e Rrugës Shefqet Kuka, pas pallateve Klensi, pranë Fizikës Bërthamore në kufi mes Njësisë nr. 4 dhe zonës së Dajtit, prej muajsh po jetojnë në një situatë të papranueshme. Përroi i Gjerezës, i cili më parë kishte rrjedhje natyrore dhe lehtësonte qarkullimin e ujërave, është mbyllur me tuba betoni gjatë punimeve të fundit në zonë. Problemi është se brenda këtij kanali të mbyllur janë futur tubat e ujërave të zeza të pallateve, ndërsa një pallat është lënë i palidhur. Si pasojë, të gjitha ujërat e ndotura dhe fekalet e tij derdhen në sipërfaqe, në rrugë dhe pranë banesave.
Sipas banorëve, situata ka degraduar prej muajsh dhe erërat e padurueshme janë bërë pjesë e përditshmërisë së tyre. Ajo që e bën edhe më të rëndë problemin është fakti se, pavarësisht se kjo zonë ka kaluar nëpër një tender për “rregullim”, realiteti sot është më i keq se më parë. Në vend që të përmirësohej, përroi është bllokuar dhe rrjedhjet e ujërave të zeza kanë dalë jashtë kontrollit.
Shumë banorë, mes tyre edhe denoncuesi, kanë bërë njoftime me shkrim në Njësinë nr. 4, te Ujësjellës Kanalizime dhe madje edhe te ARRSH. Megjithëse janë kryer telefonata të vazhdueshme, nuk është marrë asnjë masë. Institucionet duket se heshtin, ndërsa situata çdo ditë përkeqësohet.
Banorët kërkojnë vetëm atë që është e drejtë dhe e arsyeshme: të jetojnë pa erë të rëndë, pa ujëra të zeza të derdhura në mes të zonës së banuar dhe pa u përballur me pasoja të rënda për shëndetin e tyre. Ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme dhe përgjegjësi për punimet e kryera keq, sepse askush nuk duhet të vuajë në këtë mënyrë në mes të Tiranës.