Pak ditë më parë në media u publikua rasti i një nëne 25-vjeçare në Burrel e cila prej 7 vitesh nuk takon djalin e saj.
E gjithë historia nisi kur 7 vite më parë, Afërdita humbi bashkëshortin në një aksident tragjik dhe mbeti e vetme me djalin 6 muajsh. Prindërit e bashkëshortit i vunë kusht që të mos martohej më dhe të jetonte me djalin pranë tyre ose në të kundërt të largohej nga shtëpia.
Për shkak të presionit të vazhdueshëm nëna e re u largua nga shtëpia pa e parë e përqafuar asnjë ditë djalin e saj pasi ai po rritej me gjyshërit.
Me kalimin e viteve malli për djalin shtohej dhe Afërdita iu drejtua gjykatës për të kërkuar kujdestarinë e fëmijës së saj dhe pas disa procedurave gjykata i dha të drejtë, djali duhet të rritet pranë saj.
Por gjyshërit, ata që janë kujdesur dhe e kanë rritur djalin, kujtimin e vetëm nga i biri që ndërroi jetë në moshë të re, nuk janë dakord me këtë vendim gjykate dhe nuk e lënë nënën të takohet me djalin e saj.
Në një episod të ndodhur së fundmi, gjyshja akuzohet se ka ushtruar dhunë ndaj djalit të mitur.
Në pamjet e mbërritura në redaksinë tonë, i mituri shihet në makinë me gjyshen dhe sipas qytetarëve dëshmitarë ajo ka ushtruar dhunë ndaj tij, në një kohë që psikologia dhe punonjësja sociale e bashkisë Mat ndodheshin aty.
Pasi e moshuara del nga makina, djali nis të qajë dhe ulërasë me të madhe dhe në këtë moment punonjës hyjnë në makinë dhe përpiqen ta qetësojnë.
Qytetarët e Burrelit kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të autoriteteve përkatëse pasi ky rast edhe pse i bërë publik nuk ka marrë ende zgjidhje.