Pastroi paratë, Elisabeta Dosti dhe pazari 1 mln € me Allajbeun e Spitalit Amerikan

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 09.12.2025, 11:54

Elisabeta Dosti, aksionere shumicë dhe administratore e dikurshme e shoqërisë “Prodhim Veshje nr.2”, vijon të jetë nën hetim nga Prokuroria e Tiranës për dyshime të forta mbi falsifikim dokumentesh dhe pastrim parash. Sipas organit të akuzës, Dosti dyshohet se ka ngritur një skemë për transferimin e aseteve të kompanisë tek shoqëria private “EIS”, fillimisht në pronësinë e saj dhe më pas të vajzës, duke shmangur aksionerët e tjerë minoritarë.

Në qendër të hetimeve që çuan në vendosjen e masës “arrest në shtëpi” është edhe shitja e disa pasurive të paluajtshme të “EIS” shpk në dhjetor 2019, kundrejt 1 milion eurove, drejt kompanisë “Evita” shpk, e lidhur me biznesmenin e spitaleve private, Klodian Allajbeu. Prokuroria dyshon se kjo marrëveshje, e cilësuar si një “pazar” me fitim të menjëhershëm, është pjesë e skemës së tjetërsimit të pronave dhe zhvendosjes së të ardhurave për të shmangur detyrimet ndaj ish-aksionerëve të “Prodhim Veshje nr.2”.

Në qëndrimin e saj para gjykatës, Dosti ka mohuar çdo akuzë, duke deklaruar se të gjitha vendimet janë marrë sipas ligjit dhe në përputhje me të drejtat e saj si aksionere shumicë. Megjithatë, gjykata vendosi të mbajë në fuqi masën e sigurisë, ndërsa hetimet për skemën e dyshuar të pastrimit të parave dhe tjetërsimin e pronave vijojnë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit