Një në katër fëmijë shqiptarë shkon në shkollë pa konsumuar mëngjesin, edhe pse ky konsiderohet gjerësisht si vakti më i rëndësishëm i ditës. Të dhënat e studimit të fundit të Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se anashkalimi i mëngjesit shoqërohet me rritje të rrezikut për çrregullime të peshës, përfshirë mbipeshën dhe obezitetin.
Ndërkohë, një raport evropian mbi sjelljet shëndetësore të fëmijëve në moshë shkollore rendit Shqipërinë ndër vendet me nivel të lartë të konsumit të frutave dhe perimeve tek të rinjtë, një tregues pozitiv për zakonet ushqimore në vend.
Specialistët theksojnë se ushqyerja e balancuar duhet të shoqërohet domosdoshmërisht me aktivitet fizik të rregullt dhe kufizim të kohës para ekranit. Këta faktorë ndikojnë drejtpërdrejt në parandalimin e mbipeshës dhe obezitetit, problematika që po rriten në mënyrë të vazhdueshme në nivel global.
Sipas të dhënave më të fundit ndërkombëtare, rreth 1 në 10 fëmijë të moshës 5–19 vjeç jetojnë me obezitet, duke u ekspozuar ndaj rrezikut më të lartë për sëmundje kronike si diabeti i tipit 2, sëmundjet kardiovaskulare dhe disa lloje të kancerit.