Dështon siguria në shkolla: Mbi 800 raste dhune, bullizëm dhe mungesë mbikëqyrjeje

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 09.12.2025, 10:52

Shkollat në vend rezultojnë të pasigurta. Ky është konkluzioni i Kontrollit të Lartë të Shtetit, pas një auditimi të kryer nga shtatori 2021 deri në vitin 2024 mbi rolin e oficerëve të sigurisë dhe punën e strukturave arsimore.

Sipas raportit, monitorimi gati katërvjeçar tregon se procesi i sigurisë në shkolla është joefektiv, kryesisht për shkak të mungesës së koordinimit institucional. Edhe financimi mbetet minimal, pasi vetëm 0.4%–0.6% e buxhetit total të Ministrisë së Arsimit shkon për masat e sigurisë.

Dhunë fizike, psikologjike dhe bullizëm – problemet më të përhapura

Gjatë periudhës së audituar janë regjistruar: 892 raste dhune fizike, 333 raste dhune psikologjike/verbale, 186 raste bullizmi, 178 raste kërcënimesh, shantazhesh apo përndjekjesh dhe 133 raste të përdorimit të drogës, cigareve apo alkoolit

KLSH thekson se situata është përkeqësuar më tej në katër muajt e parë të vitit shkollor 2024–2025, gjatë të cilëve janë shënuar 528 incidente, kryesisht dhunë fizike, si dhe 8 raste të nxënësve të kapur me armë.

Raporti evidenton se jo të gjitha shkollat janë të mbuluara me oficerë sigurie. Edhe aty ku ka, aktiviteti i tyre vlerësohet se nuk i përgjigjet nevojave, pasi mungon kontrolli fizik i nxënësve dhe ambientit. Mospërputhja mes numrit të shkollave dhe stafit të sigurisë mbetet e theksuar:

  • Në Kukës dhe Gjirokastër, një oficer sigurie mbulon 25 shkolla
  • Në Tiranë, një oficer mbulon 3–4 shkolla

Sipas KLSH-së, oficerët e sigurisë nuk kanë detyrim ligjor për të raportuar incidentet. Edhe kur raportime bëhen, të dhënat nuk analizohen nga Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar. Në auditim është konstatuar presion nga drejtuesit e shkollave për të mos raportuar, nga frika se institucioni i tyre mund të kategorizohej si “shkollë jo e mirë”.

Kjo është reflektuar në numrin e ulët të rasteve të parandalimit: vetëm 182 parandalime të regjistruara nga viti 2021 deri në fund të 2024-s, çka tregon sipas KLSH-së se raportimi bëhet vetëm pjesërisht.

Për të përmirësuar situatën, KLSH kërkon ngritjen deri në vitin 2026 të një strukture të dedikuar për raportimin e problematikave të sigurisë në shkolla. Institucioni rekomandon që Ministria e Arsimit të krijojë një mekanizëm të qartë ligjor dhe funksional për mbledhjen dhe pasqyrimin e incidenteve, si mënyrë për të rritur transparencën, besueshmërinë dhe cilësinë e shërbimit të oficerëve të sigurisë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit