Vodhi 5 mijë €, banorët ndjekin shqiptarin, e ‘zhdëpin’ në dru dhe e dorëzojnë te karabinierët

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 09.12.2025, 10:04

Një 40-vjeçar shqiptar, i dyshuar si pjesë e një bande “skifterësh” që vepron në Itali, është arrestuar nga karabinierët në rajonin e Torinos, pasi fundjavën e kaluar kreu një vjedhje me thyerje në një banesë në Arnad të Aostës.

Sipas TGR Valle d’Aosta, burri u ndoq dhe u dhunua nga disa banorë të zonës menjëherë pas vjedhjes, duke marrë plagë të shumta, mes tyre edhe një frakturë të legenit. Ai dyshohet se kishte hyrë me forcë në banesë përmes një dere me rrjetë të shqyer, prej nga kishte marrë rreth 5 mijë euro sende me vlerë, kryesisht bizhuteri floriri.

Kur karabinierët mbërritën në vendngjarje, e gjetën shqiptarin të gjakosur dhe të dëmtuar rëndë. Ata thirrën shërbimet e urgjencës, ndërsa mjekët konfirmuan plagë nga goditjet e mara, përfshirë ato me një mjet bujqësor – një kazmë – për të cilat parashikohet rreth 30 ditë kohë shërimi.

Në momentin e arrestimit, policia i gjeti me vete 500 euro para të gatshme, një çantë luksoze dhe bizhuteri me vlerë totale rreth 5 mijë euro. Hetuesit dyshojnë se vjedhja ishte një nga disa përpjekje të ngjashme në zonë dhe se i arrestuari mund të ketë pasur një ose dy bashkëpunëtorë që arritën të arratisen. Kërkimet për ta vazhdojnë.

Gjykata e Aostës ka vendosur që 40-vjeçari të mbetet në burg, ku do të transferohet sapo të dalë nga spitali. Ai shfrytëzoi të drejtën për të heshtur, duke deklaruar vetëm se punonte si kuzhinier në Shqipëri.

Përballë akuzës për vjedhje të rëndë, ai rrezikon një dënim nga 4 deri në 7 vite burg. Megjithatë, për shkak se nuk ka precedentë penalë, dënimi mund të ulet nën 4 vite, duke u zëvendësuar me arrest shtëpiak dhe ndalim qëndrimi në Luginën e Aostës.

Ndërkohë, policia po heton edhe tre qytetarët që dyshohet se e kanë goditur të arrestuarin gjatë ndjekjes. Gjykimi i shpejtë është caktuar për 19 dhjetor.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit