Dy personat e ngujuar në banesën e braktisur në Orosh, Juljan Cumraku dhe Erzen Uka, kundërshtuan fillimisht thirrjet e policisë duke lëshuar kërcënime dhe thirrje fetare. Sipas burimeve, Cumraku deklaroi se “nuk i dorëzohej i gjallë policisë” dhe se do t’i nënshtrohej vetëm “Allahut i vdekur”, ndërsa vijoi të thërriste “Allahu Ekber”, duke rritur tensionin e situatës.
Për disa orë, forcat e rendit mbajtën të rrethuar banesën, ndërsa nga brenda u qëllua me breshëri, çka e bëri situatën edhe më të rrezikshme. Vetëm pas mbërritjes së Besnik Ukës, vëllait të Erzen Ukës, i cili pranoi të ndërhynte si negociator, dy personat pranuan të ulnin tonet dhe të dëgjonin thirrjet për t’u qetësuar. Negociatat e tij me ta rezultuan vendimtare për t’i bindur që të dilnin nga banesa pa armë.
Pas dorëzimit, policia kreu kontroll brenda godinës, ku gjeti të ekspozuara në mure disa armë të tipave të ndryshëm, si dhe një flamur të zi me mbishkrime arabe, të ngjashëm me atë të përdorur nga ISIS. Në çanta sportive u gjetën rroba dhe libra me përmbajtje radikale fetare, duke përforcuar dyshimet për prirjet ekstreme të dy të rinjve. Hetimet për rrethanat dhe motivet e tyre vijojnë.