Greqia u përfshi sot nga një valë protestash të ashpra të fermerëve, të cilët prej javësh kërkojnë përshpejtimin e subvencioneve të BE-së dhe mbështetje përballë krizës në bujqësi. Demonstrata e sotme u shndërrua në një nga mobilizimet më të mëdha dhe më të dhunshme të viteve të fundit, duke paralizuar pika kufitare, rrugë kryesore dhe dy aeroporte në Kretë.
Sipas mediave lokale, mijëra traktorë dhe kamionë bllokuan të paktën 20 akse rrugore në të gjithë vendin. Situata doli jashtë kontrollit në aeroportin e Heraklionit, ku një grup fermerësh thyen kordonët e sigurisë, hynë me forcë në pistë dhe u përleshën me policinë, duke detyruar ndalimin e trafikut ajror. Policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës, pasi protestuesit hodhën gurë dhe mjete të forta.
Në aeroportin e Chania-s, fermerë me hunj e shkopinj në duar goditën dhe thyen xhamat e mjeteve të policisë, ndërsa autoritetet thanë se personat e identifikuar do të përballen me akuza. Pamje të ngjashme dhune janë raportuar edhe në disa rrethrrotullime dhe rrugë nacionale, ku protestuesit kanë përmbysur makina policie dhe janë përplasur fizikisht me efektivët.
Në veri të vendit, trafiku u ndërpre në doganat Promachonas, në kufi me Bullgarinë, dhe Kipi, në kufi me Turqinë, ku policia lejoi kalimin vetëm të automjeteve me mallra të ndjeshme. Bllokada të tjera u ngritën në Egnatia Odos, Kardhicë, Thesali dhe zona të tjera bujqësore.
Zemërimi i fermerëve lidhet me një mungesë prej rreth 600 milionë eurosh në fondet e BE-së, pas një skandali korrupsioni ku, sipas auditimeve, disa fermerë janë përfshirë në mashtrime për të përfituar subvencione duke falsifikuar pronësinë e tokave. Verifikimet po zgjasin shpërndarjen e fondeve, në një kohë kur sektorin e godet një tjetër krizë: shpërthimi i lisë së dhenve, që ka sjellë therjen e qindra mijëra krerëve.
“Ne s’kemi më asnjë formë mbështetjeje. Prodhimi ka rënë nga ndryshimet klimatike dhe ndërkohë persona pa lidhje me bujqësinë kanë marrë miliona,” u shpreh një protestues në Lesbos, duke kërkuar hetim dhe drejtësi për skandalin e subvencioneve.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis, i cili ndodhet nën presion politik për menaxhimin e krizës, u bëri thirrje fermerëve të ndërpresin bllokadat dhe deklaroi se qeveria është e hapur për dialog. Ai ka premtuar shpërndarjen e 3.7 miliardë eurove brenda këtij viti.
Megjithatë, protestuesit paralajmërojnë për veprime akoma më të forta në ditët në vijim, me synimin që të paralizojnë edhe portin e Volosit dhe pikat kryesore të transportit detar. Në Mytilene, qindra fermerë kanë bllokuar hyrjen e portit që prej mëngjesit.
Ndërkohë autoritetet greke janë në gatishmëri, pasi situata vijon të tensionohet orë pas ore.
