Detaje të reja kanë dalë në dritë pas kapjes së një automjeti të pajisur me teknologji përgjimi në Portin e Durrësit, duke ngjallur dyshime për një operacion të paautorizuar të shërbimeve italiane në territorin shqiptar.
Makina vinte nga Ancona drejt Durrësit dhe tre personat që udhëtonin, të cilët u prezantuan si punonjës të Guardia di Finanza-s, kishin hyrë në Shqipëri me tragetin Bari–Durrës. Sipas burimeve, ata kanë qëndruar rreth 12 orë në vendin tonë dhe dyshohet se gjatë kësaj kohe kanë kryer përgjime ndaj një “personazhi” të caktuar.
Në momentin që tentuan të largoheshin me tragetin Durrës–Ankona, policia kufitare zbuloi pajisjet e sofistikuara të përgjimit në automjet, duke i vendosur italianët menjëherë nën verifikim. Të tre u morën në pyetje nga autoritetet shqiptare dhe më pas u lejuan të kthehen në Itali, ndërsa pajisjet u sekuestruan dhe po i nënshtrohen ekspertimit teknik.
Burime nga institucionet shqiptare bëjnë me dije se nuk ka pasur asnjë autorizim zyrtar nga pala shqiptare për përdorimin e pajisjeve të tilla, çka e bën veprimin e zyrtarëve italianë të parregullt dhe të papranueshëm në kuadër të procedurave të bashkëpunimit mes dy vendeve.
Në prapaskenë, pritet sqarim diplomatik për arsyet e misionit të tyre dhe identitetin e personit që dyshohet se ishte objektivi i përgjimit.