Tërmeti i fuqishëm me magnitudë 7.6 ballë godet Japoninë: Jepet alarmi për cunami, nisin evakuuimet

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 08.12.2025, 17:41

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.6 goditi mbrëmjen e së hënës brigjet verilindore të Japonisë, duke detyruar autoritetet të lëshojnë urdhra evakuimi dhe paralajmërim për cunami deri në 3 metra për zonat bregdetare.

Sipas Agjencisë Meteorologjike të Japonisë (JMA), valë cunami deri në 3 metra mund të godasin prefekturat Iwate, Aomori dhe disa zona të Hokkaidos. Deri tani janë regjistruar valë 40 cm në Aomori dhe Hokkaido.

Tërmeti u shënua rreth 70 km larg bregut dhe në një thellësi prej 33 km, tha Shërbimi Gjeologjik i SHBA (USGS). Lëkundjet u ndjenë fort edhe në kryeqytetin Tokio, ku zgjatën më shumë se 30 sekonda.

Shefi i kabinetit qeveritar, Minoru Kihara, u ka bërë thirrje qytetarëve në zonat e prekura të largohen menjëherë drejt vendeve më të larta ose në strehimet e emergjencës.

Ai tha gjithashtu se, deri në këto momente, nuk raportohet për probleme në centralet bërthamore Higashidōri dhe Onagawa, ndërsa verifikimet po vazhdojnë edhe në objekte të tjera.

Kryeministrja e re e Japonisë, Sanae Takaichi, deklaroi se qeveria po punon ngushtë me autoritetet lokale për të vlerësuar dëmet dhe për të marrë masat e duhura të emergjencës, “duke vënë jetën e njerëzve në plan të parë”.

Sipas mediave japoneze, disa persona janë plagosur në një hotel në Aomori, ndërsa zonat Miyagi dhe Fukushima janë vendosur nën alert për cunami.

Japonia është ndër vendet më të ekspozuara ndaj tërmeteve, pasi shtrihet në “Unazën e Zjarrit”, një zonë me aktivitet të lartë sizmik dhe vullkanik. Kujtojmë se tërmeti tragjik i vitit 2011 me magnitudë 9.1 shkaktoi cunamin shkatërrues dhe krizën bërthamore në Fukushima.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit