Tensioni ka shpërthyer edhe brenda Real Madridit, ku Xabi Alonso po përballet me presion të jashtëzakonshëm pas humbjes 2-0 ndaj Celta Vigos. Sipas mediave spanjolle, drejtuesit e klubit kanë qëndruar deri vonë në “Santiago Bernabéu” për të diskutuar të ardhmen e trajnerit, ndërsa besimi ndaj tij duket se po zbehet dita-ditës.
Ndeshja e së mërkurës në Ligën e Kampionëve kundër Manchester Cityt konsiderohet vendimtare. Mediat në Spanjë raportojnë se, nëse Alonso mposhtet nga Guardiola, shkarkimi i tij është thuajse i pashmangshëm. Ajo që i ka shqetësuar drejtuesit nuk është vetëm rezultati negativ, por edhe performance e dobët e skuadrës në fushë.
Ndërkohë, kanë nisur hamendësimet për pasardhësin e mundshëm. Emri i Zinedine Zidane është rikthyer fuqishëm në skenë, megjithëse rikthimi i tij shihet si i vështirë, pasi francezi synon stolin e kombëtares pas Botërorit 2026. Kandidatët e tjerë që përmenden nga mediat spanjolle janë Jürgen Klopp, Santiago Solari dhe Álvaro Arbeloa.
Pas humbjes, Xabi Alonso u shfaq i prerë në deklaratat e tij: “Jam i zemëruar, por jemi të bashkuar. Humbjet dhembin, por duhet të shohim përpara. Të mërkurën na pret Champions-i dhe duhet të tregojmë një tjetër fytyrë.” Sa i përket presionit për postin e tij, ai shtoi: “Është një ndeshje që vlen tre pikë në Ligën e Kampionëve.”
Me tensionin në kulm dhe të ardhmen e trajnerit të varur nga një ndeshje e vetme, vëmendja e botës së futbollit është tashmë te “Etihad”, ku Real Madridi luan shumë më tepër sesa thjesht kualifikimin.