Tensionet te Liverpool kanë arritur në nivelet më të larta, dhe nuk fshihet më asgjë. Përplasja mes Mohamed Salah dhe trajnerit Arne Slot pas barazimit me Leeds në Premier League ka pasur pasoja të dukshme: sulmuesi egjiptian nuk do të jetë në fushë për ndeshjen e Ligës së Kampioneve ndaj Interit në San Siro.
Klubi kampion i Anglisë dhe trajneri holandez kanë vendosur të tregojnë dorë të hekurt, duke e lënë Salah jashtë listës për këtë takim, megjithëse është një përballje kyçe për ecurinë e Liverpoolit në kompeticionin evropian.
Megjithatë, Salah ishte prezent në seancën e fundit stërvitore dhe shfaqej me buzëqeshje, duke treguar se largimi i tij nga skuadra nuk është një vendim teknik, por një formë ndëshkimi.
Ky incident vjen në një sezon të vështirë për The Reds, të cilët ndodhen në mes të klasifikimit në Premier League dhe jashtë top-10 në Ligën e Kampioneve, duke shtuar tensionet brenda ekipit.