Në 8 dhjetor, Ditën e Rinisë, sheshi kryesor i Kukësit ka qenë skena e një proteste simbolike që synon të nxjerrë në pah plagën më të madhe sociale të dekadës së fundit në vend largimin masiv të të rinjve. Protesta është organizuar nga qytetari Besmir Muslia, i cili përmes parrullave simbolike ka dënuar gjendjen alarmante të shpopullimit, veçanërisht në veri të Shqipërisë.
Sipas Muslisë, Kukësi po përballet me një boshatisje të vazhdueshme që prek çdo familje, shkollë dhe komunitet. Ai shprehet se në këtë ditë të rëndësishme historike, vendi nuk ka asgjë për të festuar, pasi vetë rinia, arsyeja e ekzistencës së kësaj date, po largohet pa kthim.
Në reagimin e tij publik, Muslia liston faktorët që po detyrojnë të rinjtë të largohen nga vendlindja: papunësia, pagat e ulëta, varfëria e thellë, nepotizmi, mungesa e meritokracisë dhe mungesa totale e projekteve që krijojnë shpresë dhe zhvillim ekonomik.
Sipas tij, situata në Kukës është edhe më e rëndë, pasi largimi i të rinjve po sjell pasoja zinxhir: prindërit mbeten pa fëmijët pranë, fëmijët rriten larg prindërve, ndërsa gjyshërit po humbasin kontaktin me nipërit dhe mbesat.
“2026-ta do ta gjejë shtëpinë kuksiane pa të rinj, prindërit pa fëmijët e tyre pranë, fëmijët pa prindërit e tyre pranë, shkollat me më pak nxënës,” shkruan Muslia.
Duke e konsideruar rininë si kapitalin më të çmuar të një vendi, Muslia thotë se gjendja aktuale duhet të shqetësojë të gjithë shoqërinë, pasi pa energjinë, kreativitetin dhe vizionin e të rinjve, nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm.
Në fund të reagimit të tij, ai thekson një mesazh të fortë simbolik:
“Mos e paçit fatin e rinisë shqiptare.”
Protesta e tij në Ditën e Rinisë synon të rikthejë vëmendjen te një problem që po zbraz Shqipërinë vit pas viti, ndërsa kërkon që politika dhe institucionet të ndërmarrin masa konkrete për të krijuar perspektivë dhe shpresë për brezat e rinj.
"MOS E PAÇIT FATIN E RINISË SHQIPTARE
Sot, në të ashtuquajturën Ditë të Rinisë, ku asgjë nuk i ka mbetur kësaj dite përveç kujtimit të Dhjetorit ‘90, organizova një reagim në sheshin para Bashkisë Kukës.
Sot Shqipëria është pa rini.
Kukësi e vuan më së shumti mungesën e rinisë. Shkaqet janë të shumta, duke filluar nga papunësia, pagat e ulëta, varfëria, nepotizmi, gjendja e mjeruar e fshatrave, mungesa totale e perspektivës, mungesa totale e projekteve që ngjallin shpresë, zhvillim ekonomik dhe meritokraci.
2026-ta do ta gjejë shtëpinë kuksiane pa të rinj, prindërit pa fëmijët e tyre pranë, por edhe fëmijët pa prindërit e tyre pranë pasi kanë ikur në emigracion, gjyshërit pa nipa dhe mbesa, shkollat me më pak nxënës.
Kjo gjendje ku ndodhet shoqëria shqiptare pa rini është mjaft shqetësuese, pasi rinia është pjesa më vitale dhe energjike e zhvillimit shoqëror.
Rinia është kapitali më i çmuar i një vendi.
Por 2026-ta vjen me parullën: Mos e paçit fatin e rinisë shqiptare.”
Në Kukës, ku emigracioni ka goditur më fort se kudo, protesta e qytetarit ngre një pyetje të rëndë: çfarë ndodh me një vend kur humbet rininë e tij?
Në Ditën e Rinisë, mesazhi që dëgjohet më shumë se festimi, është thirrja për shpresë.