Gjykata e Apelit në Kanada ka vendosur që Ëngjëll Brahimi, i akuzuar për vrasjen e një oficeri policie dhe djalit të tij në vitin 2000 në Fier, të mos ekstradohet drejt Shqipërisë. Sipas mediave kanadeze, gjykatësit arritën në përfundimin se provate paraqitura nuk ishin të mjaftueshme për të justifikuar ekstradimin dhe burgosjen e tij.
Brahimi ishte dënuar në Shqipëri me burgim të përjetshëm për vrasjen e oficerit të policisë Astrit Braçe dhe djalit të tij 8-vjeçar, Asllan, në një pritë të armatosur më 10 gusht 2000. Pas ngjarjes, ai u arratis dhe u arrestua më vonë në Kanada, ku jetonte me identitetin e rremë Piro Kota, duke shmangur drejtësinë shqiptare.
Në vendimin e publikuar të premten në Montreal, thuhet se gjykatësi i çështjes “vlerësoi se provat në tërësi ishin të pamjaftueshme për të urdhëruar burgosjen”. Kësisoj, 62-vjeçari Brahimi nuk rrezikon më ekstradimin në Evropën Lindore, ku e priste një dënim i rëndë për vrasjen e një oficeri të lartë policie dhe të birit të tij, ngjarje e ndodhur 25 vite më parë.
Sipas autoriteteve shqiptare, Brahimi dyshohet se është motivuar nga hakmarrja për vdekjen e vëllait të tij dhe ka shënjestruar shefin e hetimeve, teksa ky i fundit udhëtonte me familjen drejt plazhit. “Nga një pyll i vogël doli një automjet Audi dhe u vendos në pritë. Një burrë doli prej tij me një armë automatike dhe hapi zjarr disa herë…”, thuhet në dokumentet gjyqësore.
Nga sulmi mbeti i vrarë fëmija 8-vjeçar, ndërsa oficeri u plagos rëndë. Më pas, sipas dosjes, një nga sulmuesit e gjeti pranë një lumi dhe e ekzekutoi. Brahimi u identifikua nga bashkëshortja e viktimës rreth pesë muaj më vonë përmes një fotografie, por në atë kohë ai ishte arratisur fillimisht në Greqi e më pas në Kanada, ku kishte marrë edhe shtetësinë.
Megjithëse Brahimi u zbulua dhe u arrestua, ekipi i tij ligjor arriti të demonstronte se gjyqi i zhvilluar në Shqipëri kishte pasur mangësi të rënda. “Provat janë aq të dobëta dhe të pabesueshme, sa ekstradimi do të përbënte një keqpërdorim të drejtësisë”, deklaroi gjykatësi Alexandre Boucher në vitin 2023. Ai vuri në dukje se bashkëshortja e viktimës madje kishte kundërshtuar vetveten, duke identifikuar personin e gabuar gjatë procesit.
Prokurori i Përgjithshëm i Kanadasë, që vepronte në emër të shtetit shqiptar, apeloi vendimin duke pretenduar gabime procedurale. Por Gjykata e Apelit e Kebekut vendosi se gjykatësi kishte vepruar në mënyrë të rregullt.
“Ai verifikoi mjaftueshmërinë dhe besueshmërinë e provave të paraqitura. Ai konstatoi se provat kishin mangësi të dukshme dhe ekzistonte rreziku real që ato të ishin thelbësisht të pasakta”, thuhet në vendim. Gjykata shtoi se arratisja e Brahimit, ndonëse mund të interpretohej si sjellje e një personi fajtor, po aq mirë mund të ishte edhe veprim i dikujt që kërkon të shmangë një akuzë të padrejtë.