Ermal Gora, 46 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, është ekstraduar nga Spanja dhe i është dorëzuar autoriteteve shqiptare në kuadër të operacionit “The Wanted”. Ai kërkohej për një tentativë vrasjeje të ndodhur në maj 2023 në Berat, ngjarje që u parandalua falë ndërhyrjes së Policisë gjatë operacionit “Objektivi”.
Sipas vendimit të Gjykatës së Beratit, ndaj Gorës është caktuar masa “Arrest në burg” për akuzat e sigurimit të kushteve për vrasje dhe mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit, të kryera në bashkëpunim. Hetimet tregojnë se ai kishte vepruar së bashku me tre persona të tjerë në përgatitjen e atentatit.
Ekstradimi u mundësua përmes bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Madridit, ndërsa materialet e çështjes i janë kaluar Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Berat për procedura të mëtejshme.