Policia e Elbasanit po heton konfliktin që dyshohet se ka qenë në qendër të vrasjes së biznesmenit Mondi Mëhalla më 30 nëntor. Në fokus të hetimeve është 35-vjeçari Oklid El Ouejdi, i njohur me nofkat “Kiço” dhe “Oliver”, i cili është larguar drejt Maqedonisë së Veriut menjëherë pas ngjarjes dhe konsiderohet person me rëndësi për zbardhjen e saj, sipas burimeve policore.
Pista kryesore lidhet me aktivitetin e biznesit të tij “SOLEIL”, përmes të cilit dyshohet se ka pasur një marrëdhënie të tensionuar tregtare me Mëhallën. Rreth dhjetë ditë para vrasjes, të dy janë përplasur fizikisht në ambientet e një karburanti në Elbasan, për shkak të një marrëveshjeje të pazgjidhur prej rreth 700 mijë eurosh. Sipas të dhënave të hetimit, El Ouejdi dyshohet se ka ofruar disa apartamente në Tiranë si kompensim, por me probleme pronësie, duke përkeqësuar më tej konfliktin.
Hetuesit po verifikojnë lëvizjet e 35-vjeçarit dhe lidhjet e tij në Maqedoninë e Veriut, si dhe rolin e personave të tjerë të përmendur gjatë hetimit. Dyshimet aktuale janë se pas debatit të fundit mund të jenë hedhur hapat që çuan në atentatin ndaj biznesmenit, ndërsa grupi hetimor po punon për të provuar ose rrëzuar këtë pistë