Studimi i ri: Mosha kur bie ndjeshëm fertiliteti i grave është më e ulët sesa mendohej

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 08.12.2025, 00:03

Një studim i ri ka zbuluar moshën kur fertiliteti i grave nis të bjerë me ritme të shpejta, dhe rezulton të jetë më herët nga sa besohej.

Studiues nga Universiteti Jilin në Kinë analizuan mbi 15 mijë embrione të krijuara përmes IVF dhe gjetën se cilësia e vezëve fillon të përkeqësohet ndjeshëm pas moshës 32 vjeçare.

Sipas tyre, te gratë 20–32 vjeçare, rreth 1 në 5 vezë kishte probleme kromozomesh. Por pas moshës 32 vjeçare, ky numër rritet shpejt, dhe rreth moshës 35 vjeçare më shumë se gjysma e vezëve përmbajnë shumë ose pak kromozome, një faktor i njohur që çon në infertilitet, abort dhe sëmundje gjenetike si sindroma Down.

Studiuesit i lidhin këto ndryshime me një proteinë të quajtur cohesin, e cila mban kromozomet së bashku gjatë zhvillimit të vezëve. Me kalimin e viteve, nivelet e kësaj proteine bien ndjeshëm. Te gratë mbi 40 vjeçare, vezët kishin deri në 30% më pak cohesin krahasuar me ato të një 20-vjeçareje.

Rënia e kësaj proteine sjell dëmtime të ADN-së, pakësim të aftësisë së riparimit dhe rrezik më të lartë për gabime kromozomale, faktorë që ndikojnë drejtpërdrejt në fertilitet.

Shkencëtarët po përpiqen të kuptojnë pse cohesin bie me moshën, por kanë identifikuar disa procese biologjike që dobësohen me kalimin e viteve. Dy prej tyre, të quajtura mTOR dhe ATM, lidhen me rregullimin e rritjes qelizore dhe riparimin e ADN-së. Studimet sugjerojnë se modifikimi i këtyre mekanizmave mund të ndihmojë në ruajtjen e cilësisë së vezëve në të ardhmen.

Studiuesit theksojnë se kjo gjetje mund të hapë rrugën për trajtime të reja që do t’i ndihmojnë gratë të ruajnë fertilitetin për më gjatë, në një kohë kur gjithnjë e më shumë gra po vendosin të bëhen nëna në moshë më të avancuar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit