Mario Canaj, një 39-vjeçar shqiptar, është dënuar me 14 vite burg në Britaninë e Madhe për rolin e tij në një ngjarje të rëndë të ndodhur në Luton, ku disa persona tentuan të futeshin me forcë në një objekt që përdorej si fabrikë kanabisi. Ngjarja solli një përplasje të dhunshme mes dy grupeve rivale dhe përdorim armësh zjarri.
Incidenti ka ndodhur në orët e para të 3 marsit 2021, në zonën e Hallwicks Road. Policia u thirr pas raportimeve për të shtëna dhe persona të armatosur me mjete të forta. Sipas hetimeve, konflikti nisi kur disa individë tentuan të depërtonin në një banesë aty pranë, e kthyer në laborator kanabisi.
Gjykata e Kurorës në Luton shpalli fajtor Mario Canajn për tre akuza:
– Konspiracion për prodhimin e kanabisit – Mbajtje arme zjarri me qëllim rrezikimin e jetës – Pjesëmarrje në dhunë të rëndë
Për të njëjtën ngjarje janë dënuar edhe tre persona të tjerë në vitin 2023, mes tyre edhe 38-vjeçari Gëzim Brahimaj, shqiptar që jeton në Luton.
Zyrtarja e Njësisë së Krimeve të Rënda, Detective Sergeant Jo Goodson, tha se ky ka qenë një hetim i gjatë dhe intensiv:
“Kanë qenë pesë vite punë të palodhur për të siguruar këto dënime. Dhuna e asaj nate ishte tronditëse dhe përkushtimi i ekipeve tona ka qenë vendimtar.”
Ajo shtoi se dënimet e dhëna tregojnë se autoritetet nuk do të tolerojnë aktivitetet kriminale dhe përdorimin e armëve të zjarrit në Bedfordshire.