Të arsimuarit po braktisin Shqipërinë: 23% emigrojnë, vetëm 3% rikthehen

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 07.12.2025, 19:09

Shqipëria vazhdon të përballet me një valë të lartë emigracioni, veçanërisht mes popullsisë së arsimuar, duke e vështirësuar edhe më shumë përmbysjen e bilancit negativ të largimeve. Të dhënat më të fundit nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) tregojnë se vendi po humb profesionistë me ritme të shpejta dhe se kthimet janë minimaliste.

Sipas raportit të tranzicionit për vitet 2023–2024, rreth 23% e të arsimuarve shqiptarë kanë emigruar në këtë periudhë. Ndër 38 vendet e analizuara nga BERZH, Shqipëria renditet ndër vendet me nivelin më të lartë të emigrimit, duke u tejkaluar vetëm nga Bosnja, Autoriteti Palestinez dhe Taxhikistani.

Në të kundërt, vetëm 3% e profesionistëve shqiptarë që jetonin jashtë janë rikthyer. Ky hendek i thellë tregon se vendi humbet shumë më tepër talente sesa arrin të tërheqë, çka e vendos Shqipërinë në një pozitë të pafavorshme krahasuar me shtetet e tjera të Europës Juglindore.

Raporti thekson se një nga problemet kryesore është mungesa e tërheqjes për talentet ndërkombëtare. Shqipëria vazhdon të mos jetë një destinacion i preferuar për profesionistë të huaj për shkak të tregut të vogël të punës dhe pagave ende jo konkurruese.

Studimet e brendshme konfirmojnë arsyet pse profesionistët shqiptarë largohen nisur nga paga më të larta, mundësi më të mira zhvillimi profesional, karrierë më të qëndrueshme, si dhe kushte më të avancuara kërkimi, inovacioni dhe specializimi në vendet e BE-së.

Ndërkohë, mungesa e ofertave konkurruese brenda vendit e bën rikthimin pak tërheqës, duke thelluar trurin e ikur dhe duke krijuar boshllëqe gjithnjë e më të mëdha në tregun vendas të punës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit