Kancelari gjerman Friedrich Merz zhvilloi vizitën e tij të parë zyrtare në Izrael, ku theksoi përgjegjësinë e veçantë historike të Gjermanisë për mbrojtjen e të drejtës së shtetit hebre për të ekzistuar.
Ky mesazh kulmoi gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Kryeministrin Benjamin Netanyahu në Jerusalem, ku Merz u shpreh qartazi: “Ne do të qëndrojmë gjithmonë në krah të këtij vendi.”
Gjatë takimit me Kryeministrin Netanyahu, Kancelari gjerman theksoi se Berlini mbështet plotësisht të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje, duke theksuar se lufta aktuale do të përfundojë vetëm kur Hamasi të dorëzojë armët.
Merz pranoi se veprimet ushtarake në Gaza kanë sjellë "dilema" dhe shqetësime për Gjermaninë, duke iu referuar edhe embargos së përkohshme të armëve të vendosur dhe më pas të hequr. Megjithatë, ai siguroi se "deri më sot nuk kemi dallime thelbësore" në qëndrimet strategjike dhe premtoi se Gjermania “do të mbështesë gjithmonë Izraelin.”
Pavarësisht këtij qëndrimi të fortë mbështetës, një kontrast i qartë u shfaq lidhur me zgjidhjen me dy shtete. Në konferencën me Netanyahu-n, Merz ripërsëriti mbështetjen e Gjermanisë për krijimin e një shteti palestinez krahas Izraelit. Por ai sqaroi se Berlini nuk do ta njohë këtë shtet “në një të ardhme të afërt,” pasi njohja, sipas tij, duhet të vijë vetëm në fund të procesit të paqes.
Kryeministri Netanyahu kundërshtoi kategorikisht këtë ide, duke deklaruar se shumica e opinionit publik në Izrael e refuzon zgjidhjen me dy shtete. Ai shtoi gjithashtu se, ndonëse nuk pritet aneksim i menjëhershëm i Bregut Perëndimor, çështja mbetet pjesë e diskutimeve.
Netanyahu gjithashtu informoi Merz se faza e parë e planit të Presidentit amerikan Donald Trump për Gazën po i afrohet përfundimit dhe se në fund të dhjetorit priten bisedime të rëndësishme për hapat e mëtejshëm.
Në një takim të mëparshëm me presidentin izraelit Isaac Herzog, Merz kishte deklaruar se Gjermania qëndron në krah të Izraelit, ndërsa Herzog theksoi rolin që Gjermania mund të luajë në procesin e paqes.