Toma Taulanti, një 41-vjeçar shqiptar që mbahej i burgosur në një burg në Itali është arratisur nga qelia në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, shqiptari është i dënuar deri në vitin 2048, por ka vendosur të “përshpejtojë” lirimin e tij duke u arratisur nga burgu i sigurisë së lartë të Operas në Milano. Prej mëngjesit të kësaj së diele, ndaj tij është lëshuar një urdhër kërkimi i menjëhershëm brenda dhe jashtë perimetrit të institucionit.
Taulanti, i njohur për precedentë të shumtë penalë për grabitje, vjedhje dhe trafik droge, konsiderohet nga autoritetet italiane si një ekspert arratisjesh. Alarmit iu dha rreth orës 08:00, kur gjatë kontrollit të zakonshëm të mëngjesit, rojet konstatuan mungesën e tij në qeli.
Nga hetimet paraprake dyshohet se 41-vjeçari ka prerë hekurat e dritares së qelisë, është ngjitur në oborrin e brendshëm dhe më pas ka kaluar murin perimetral të burgut, duke u zhdukur pa lënë gjurmë. Policia gjyqësore po analizon pamjet e kamerave të sigurisë për të rindërtuar me detaje lëvizjet e tij dhe për të identifikuar drejtimin e arratisjes.
Kjo konsiderohet arratisja e katërt e Taulantit. Arratisja e tij e mëparshme daton në vitin 2013, kur u largua nga burgu i Parmës së bashku me një tjetër të burgosur. U arrestua në Belgjikë, por disa muaj më vonë arriti të largohej sërish, deri në kapjen përfundimtare në vitin 2015.
E para arratisje është regjistruar në tetor 2009 nga burgu i Ternit, dhe ai u kap në fund të dhjetorit të po atij viti në një shtëpi fshati në provincën e Pavias.
Autoritetet italiane vazhdojnë kërkimet intensive për gjetjen e tij.