Zbardhet paralajmërimi më i rëndë i dekadës për ekonominë shqiptare. Nëse shteti nuk vepron me urgjencë, ndryshimet klimatike pritet të gërryejnë deri në 7% të Prodhimit Kombëtar Bruto (PBB) brenda vitit 2036. Përballë këtij skenari katastrofik, Ministria e Mjedisit ka dorëzuar faturën e shpëtimit: 9.8 miliardë dollarë investime janë të domosdoshme për të blinduar vendin kundër thatësirave, zjarreve dhe përmbytjeve që priten të intensifikohen.
Ky ultimatum financiar dhe ekologjik vjen nga "Plani Kombëtar për Përshtatjen ndaj Ndryshimeve Klimatike 2026-2036", i cili zbulon se Shqipëria nuk po përballet me një rrezik të largët, por me një krizë që tashmë po i troket në derë.
Humbjet shekullore: Bujqësia dhe plazhet në vijën e zjarrit
Rreziku nuk është i shpërndarë; ai godet në zemër dy motorët kryesorë të ekonomisë: Bujqësia në kolaps: Sektori bazë i vendit kërcënohet nga rënia drastike e prodhimit dhe mungesa e vaditjes. Nëse nuk ndërtohen sisteme mbrojtëse, zonat rurale dhe familjet me të ardhura të ulëta do të jenë viktimat e para të varfërisë klimatike.
Turizmi nën erozion: Atraksioni kryesor i vendit, bregdeti, është në rrezik të përhershëm nga përmbytjet dhe erozioni i pakontrolluar i plazheve. Edhe pse ndryshimet e papritura të motit do të ndikojnë tek turizmi malor, fati i rivierës është më kritik, duke detyruar nevojën për diversifikimin urgjent drejt ofertës kulturore dhe historike.
Historia e përsëritur e fatkeqësisë
Dokumenti i Ministrisë shërben si një kujtesë e hidhur se sa shtrenjtë ka paguar Shqipëria për mungesën e masave. Në tre dekada, vendi ka humbur 2.3 miliardë dollarë nga fatkeqësitë natyrore. Tërmeti i vitit 2019, me 51 viktima, demonstroi qartë se infrastruktura e cilësisë së ulët, ndërtimet e pakontrolluara dhe menaxhimi i dobët i baseneve ujore e bëjnë popullsinë jashtëzakonisht të cenueshme.
Plani i mbrojtjes: Nga pyllëzimi te argjinaturat
Investimi prej 9.8 miliardë dollarësh nuk është një shpenzim luksi, por një domosdoshmëri strategjike për të ngritur murin mbrojtës:
Infrastruktura jetike: Financimi do të kanalizohet në ndërtimin e argjinaturave, rezervuarëve dhe sistemeve moderne të kullimit për të kontrolluar përmbytjet.
Rilindja Mjedisore: Parashikohet një ripyllëzim masiv dhe rivendosja e një brezi të gjelbër përgjatë vijës bregdetare për të shpëtuar tokën nga erozioni i detit.
Mbrojtja e Energjisë: Do të investohet në mbrojtjen e infrastrukturës energjetike dhe përmirësimin e operacioneve të hidrocentraleve ndaj ngjarjeve ekstreme.
Nëse vendi nuk arrin të mobilizojë këtë kapital të jashtëzakonshëm deri në vitin 2036, kërcënimi i humbjes prej 7% të PBB-së do të kthehet në realitet, duke zhytur ekonominë në një cikël rreziqesh dhe humbjesh.