Dhjetëra qytetarë nga Elbasani i janë drejtuar redaksisë së JOQ Albania mbrëmjen e sotme për të raportuar një situatë të pazakontë që ka pushtuar qytetin. Në pamjet e dërguara shihet qartë një shtresë e dendur që mbulon zonën, sipas disa qytetarëve bëhet fjalë për mjegull, ndërsa shumë të tjerë pretendojnë se është tym, ndotje nga metalurgjiku ose djegie mbetjesh e gomash.
Duke qenë se shkaku i vërtetë nuk është i konfirmuar, JOQ Albania po pasqyron vetëm raportimet e qytetarëve dhe pamjet e mbërritura në redaksi.
Sipas disa denoncuesve, fenomeni është shfaqur që prej orëve të pasdites dhe vazhdon deri në mbrëmje, duke krijuar vështirësi në frymëmarrje dhe një erë të rëndë në ajër.
Një prej qytetarëve thotë se fillimisht mendoi se bëhej fjalë për mjegull të zakonshme, por sapo doli nga makina ka ndier “aromë të rëndë që djeg hundët dhe mushkëritë”. Në videot e dërguara, shihet qartë një re e trashë që mbulon lagje të tëra të qytetit.
Më poshtë disa prej raportimeve të qytetarëve:
Denoncimi 1:
“Ne Elbasan era goma të djegura. Nuk po mbushemi me frymë. Nuk dilet në dritare, na mbyti Metalurgjiku. Ka gjithë ditën ky fenomen.”
Denoncimi 2:
“Gjendja në qytetin e Elbasanit. Aromë e rëndë dhe mjegull masive nga djegia e plehrave.”
Denoncimi 3:
“Elbasani live. Menduam që ishte mjegull derisa dolëm nga makina dhe ndjemë erën… të djegin hundët dhe mushkëritë nga tymi, s’po dimë çfarë është.”
Denoncimi 4:
“Përshëndetje JOQ. Dua të denoncoj gjendjen në Elbasan. Është skandaloze. Po digjen plehra, nuk e di se nga vjen, por është vënë komplet një mjegull e madhe dhe tym total. Ajër shumë i ndotur, aromë e padurueshme që të mbyt. Shikojeni.”
Denoncimi 5:
“Mirmbrëma. Elbasanin sonte e ka mbuluar tymi, një erë e rëndë sikur digjen goma makinash. Po na vdesin. Jashtë duhet të dalësh vetëm me maskë se të mbyt era.”
Denoncimi 6:
“Një mjegull e dendur ka pushtuar Elbasanin. S’po e marrim vesh çfarë është, mjegull apo tym.”
Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga autoritetet për të sqaruar shkakun dhe për të marrë masa, pasi situata po krijon shqetësim dhe pasiguri për shëndetin e tyre.