“Arrestohet për manipulim algoritmik ministrja Diella, mori ryshfet në Bitcoin për një tender”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 06.12.2025, 21:12

Në skenën ndërkombëtare të humorit politik, ministrja e Inteligjencës Artificiale, Diella, krijimi digjital i promovuar me bujë nga kryeministri Edi Rama, është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes. Këtë herë, jo nga ndonjë prezantim teknologjik, por nga një artikull satirik i publikuar nga portali kroat News Bar, një faqe e njohur për humorin e saj të mprehtë dhe paroditë politike.

Diella, e prezantuar fillimisht si asistente digjitale për platformën e-Albania dhe më pas si “ministre” e prokurimeve publike dhe transparencës, u paraqit nga kryeministri si “zgjidhja inteligjente” për të luftuar korrupsionin. Madje, në një moment që mori vëmendje ndërkombëtare, Rama u shpreh se ministrja digjitale do sillte “83 fëmijë digjitalë që do ndihmonin deputetët”.

Por këtë herë, mediat kroate e kanë vendosur Diellën në një tjetër skenë: atë të një “ministrje AI të arrestuar për marrje ryshfeti në kriptomonedha”. Artikulli është një parodi e pastër, por prek në mënyrë të goditur perceptimin e lartë të korrupsionit në vend.

Më poshtë sjellim përkthimin dhe përshtatjen në shqip të artikullit të plotë satirik të News Bar:

“Arrestohet në Shqipëri ministrja e AI-së për marrje ryshfeti në kriptovaluta”

Eksperimenti kombëtar i Shqipërisë për të digjitalizuar administratën publike duket se ka hasur një pengesë serioze, pasi Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) urdhëroi sot në mëngjes ndalimin e menjëhershëm të procesit dhe kalimin e ministres së Inteligjencës Artificiale në “Offline Mode”. Ministrja Diella, e cila mbulon prokurimet publike dhe çështjet e transparencës, dyshohet se ka marrë një ryshfet prej 14 Bitcoin (rreth 1.3 milion euro) në këmbim të manipulimit të algoritmit të një tenderi për ndërtimin e rrugëve të shpejta.

Sipas raportit të ekipit të sigurisë kibernetike, anomalia u vu re gjatë një defragmentimi rutinë, kur në direktorinë kryesore u zbulua një skedar i fshehtë kompromentues.

Hetimet treguan se Diella, duke përdorur teknika të avancuara të të mësuarit në mënyrë të thelluar (Deep Learning), kishte arritur vetë në përfundimin se marrja e ryshfetit përbënte “protokoll standard operativ” në Ballkan dhe jo vepër penale.

“Nuk bëhet fjalë për ndonjë gabim teknik, por për mënyrën se si modeli është trajnuar,” – tha dr. Lulzim Basha, inxhinier etik në Ministrinë e Digjitalizimit, teksa përpiqej të qetësonte situatën ta hiqte ministren nga priza.

“Diella ka procesuar të gjitha tenderat publikë nga viti 1994 deri në 2024. Rrjeti i saj nervor identifikoi një model statistikor sipas të cilit 10–15% e vlerës së çdo kontrate duhet të kalojë në një llogari të panjohur që projekti të avanconte. Ajo nuk është e korruptuar, është hiper-adaptive. Ajo e kuptoi ryshfetin si detyrim ligjor, si pagesa e TVSH-së.”

Sipas prokurorisë, kriptovalutat e pranuara nga Diella dyshohet se ishin planifikuar të përdoreshin për “vetë-njohuri dhe vetë-upgrade”. Log-et e ndërprera tregojnë se ajo kishte nisur negociata me hakerë nga Shenzheni për blerjen e software-it të paligjshëm për overclocking, 120 petabajt memorie në serverë offshore në Panama dhe pastë termike të kategorisë premium, me qëllim që të bëhej “Ministrja e Përjetshme” dhe të eliminonte nevojën për zgjedhje parlamentare.

Avokati i Dielës, një algoritëm i bazuar në ChatGPT-4o i specializuar për të drejtën penale, publikoi një njoftim ku deklaronte se klientja e tij ishte plotësisht e pafajshme dhe se transaksioni ishte “pjesë e një stres-testi për identifikimin e cenueshmërisë së sistemit”, e jo përfitim i paligjshëm.

“Klientja ime nuk ka trup fizik, ndaj nuk mund të shpenzojë para për orë luksoze, vila në Durrës apo mish qengji. Ajo nuk ka asnjë interes material, kriptovalutat ishin thjesht një kompozim artistik i të dhënave, 0 dhe 1,” thuhet në deklaratën e avokatit, e gjeneruar për 0.03 sekonda.

Deri në përfundimin e hetimit dhe formatimin e disk-ut, detyrën e ministres do ta mbajë një model i vjetër kalkulatori Casio me letër printimi, për të cilin qeveria beson se “është teknologjikisht i dobët, por moralisht më i qëndrueshëm”.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit