Një rast vjedhjeje është denoncuar së fundmi në redaksinë e JOQ Albania nga pronari i një dyqani në qendër të Beratit. Ai ka dërguar pamje ku shihet një grua në moshë teksa vjedh disa produkte kozmetike.
Sipas denoncuesit, gruaja shfrytëzon oraret me fluks të madh klientësh për të kryer vjedhjet, duke përfituar nga situata për të mos u vënë re. Ai thekson se nuk është hera e parë që ajo kryen këtë veprim.
Në videon e siguruar nga redaksia, shihet qartë teksa gruaja provon disa prej produkteve dhe më pas i fut në çantën e saj me shumë qetësi, para se të largohet nga dyqani. Pronari i biznesit thotë se rasti është raportuar edhe në polici dhe se zonja në fjalë njihet nga të gjithë banorët dhe tregtarët e zonës.
Denoncimi i plotë i pronarit:
“Përshëndetje! Dëshiroj t’ju dërgoj disa video të kapura dje në dyqanin e linjës 160, në qendër të Beratit. Zonja e paraqitur në video është disa herë që e ka bërë këtë veprim, por vetëm sot arrita ta vërej, pasi siç shihet në video preferon oraret kur ka shumë njerëz në dyqan. Më poshtë po ju bashkëngjis edhe videot. Do të doja ta shpërndanit si një paralajmërim për bizneset e tjera dhe pse jo për njerëzit në përgjithësi, pasi çështja dje ka arritur deri në polici. Ka vjedhur disa produkte kozmetike, më shumë se 5 artikuj. Berati është i vogël, dyqanin e dinë të gjithë dhe zonjën e njohin të gjithë. Nëse dëshironi mund ta publikoni. Faleminderit!”
Ky rast i dokumentuar në Berat konfirmon se vjedhjet e vogla janë shtuar ndjeshëm kohët e fundit, duke u bërë një shqetësim i përgjithshëm për bizneset.