Një vajzë e mitur nga Bullgaria ka rrëfyer para autoriteteve greke historinë tronditëse të shfrytëzimit që përjetoi në Selanik, duke çuar në arrestimin dhe dënimin e tre anëtarëve të një rrjeti trafikimi seksual. Vendimi i gjykatës është konfirmuar nga Gjykata e Lartë greke.
Sipas mediave vendase, historia e vajzës nis në Bullgari, ku ajo kishte pasur një lidhje romantike dhe kishte sjellë në jetë një vajzë, e cila nuk u njoh nga babai biologjik. Pas ndarjes, ajo u kthye të jetonte në shtëpinë e nënës së saj, derisa u njoh me një bashkatdhetar më të madh në moshë, i cili e mashtroi duke i premtuar punë jashtë vendit.
Të dy udhëtuan fillimisht drejt Italisë, ku burri, sipas dëshmisë së saj, merrej me falsifikim dokumentesh dhe nuk gjente punë. Më pas, ai i propozoi të shkonin në Greqi, duke i thënë se atje do të siguronte një punë të mirë dhe të mirëpaguar.
Por sapo mbërritën në Greqi, gjithçka ndryshoi. Në tragetin drejt vendit, i mituri i tregoi se “puna” që do të bënte ishte prostitucioni, dhe kur vajza kundërshtoi, ai e goditi, e kërcënoi dhe i tha se nuk kishte rrugë tjetër veçse të bindjej.
Në Selanik, burri e la të mbyllur në një apartament nën kujdesin e një gruaje shqiptare rreth 30-vjeçe, e cila, sipas vajzës, kishte rol aktiv në shfrytëzimin e saj. E mitura ka treguar se çdo natë vinin klientë, ndërsa gruaja largohej nga shtëpia duke e lënë vetëm me ta.
“Çdo ditë vinin dy ose tre klientë. Ajo më thoshte të bëja gjithçka që kërkonin,” – ka dëshmuar vajza në polici. Ajo ka deklaruar se ishte e mbyllur, pa asnjë mundësi arratisjeje, dhe se nuk merrte asnjë të ardhur nga shfrytëzimi i saj.
Më vonë, trafikantët e transferuan në një tjetër apartament në Selanik, ku jetonte një vajzë rumune që po shfrytëzohej në të njëjtën mënyrë. Aty, sipas dëshmisë së saj, e detyronin të takonte deri në tre klientë në ditë.
Situata u bë edhe më e frikshme kur vajza mësoi se planifikonin ta dërgonin në Gjermani për ta shfrytëzuar sërish. E tmerruar, ajo vendosi të rrezikonte. Një natë, arriti të thyente grilën e një dritareje, doli nga apartamenti dhe u drejtua menjëherë në Stacionin e Policisë, ku kërkoi ndihmë.
Hetimet e autoriteteve greke zbuluan prova që lidhen me veprimtarinë e rrjetit të prostitucionit, ndërsa tre persona u shpallën fajtorë për trafikim të të miturve dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Ata u dënuan me 5 deri në 15 vite burg, ndërsa Gjykata e Lartë refuzoi kërkesën e tyre për apelim.
Rasti ka shkaktuar reagime të forta në Greqi, duke rikthyer në vëmendje rritjen e rasteve të trafikimit të vajzave të mitura nga Europa Lindore drejt vendeve të BE-së.