Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet ndaj 27 të pandehurve dhe ka dërguar dosjen për gjykim. Ndër personat e proceduar penalisht rezultojnë edhe emra të njohur të botës së krimit, si Ervis Martinaj, Endrit Dokle dhe Arian Tuku. Përpara gjykatës është dërguar gjithashtu edhe ish-efektivi i RENEA-s, Altin Morina.
Sipas aktit hetimor, Altin Morina, gjatë kohës që ushtronte detyrën në strukturën RENEA, dyshohet se i ka transmetuar informacion të klasifikuar Durim Bamit dhe ka shmangur kontrollet policore në parcelat me bimë narkotike që Bami administronte në zonën e Fushë-Krujës.
Hetimet kanë provuar se i pandehuri Durim Bami ka organizuar, drejtuar dhe financuar një grup të strukturuar kriminal të angazhuar në kultivimin e bimëve narkotike të llojit Cannabis Sativa në fshatin Nikël, Fushë-Krujë, gjatë periudhës dhjetor 2019 – korrik 2020, si dhe në territorin e Njësisë Administrative Bubq, Bashkia Krujë, para dhe gjatë muajit shtator 2020. Ai ka siguruar mbarëvajtjen e aktivitetit ilegal me ndihmën e punonjësve të Policisë së Shtetit, mes të cilëve edhe i pandehuri Altin Morina, si dhe personave të tjerë ende të paidentifikuar, të cilët jepnin informacion apo ndihmonin në shmangien e kontrolleve të parcelave të kultivuara.
Më datë 3.4.2025, gjatë operacionit për kapjen e tij, Altin Morina, i shpallur më herët në kërkim, është ndaluar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, Tiranë. Në automjetin e tij u gjet dhe u sekuestrua një armë zjarri pistoletë, modeli Beretta PX4, kalibër 9×21 mm, prodhim italian, me numër serie “PJ07009”. Arma mbajej pa leje, ishte teknikisht funksionale dhe e gatshme për qitje, me një fishek në fole dhe 9 fishekë të tjerë në krëhër.
Ky arrestim shkaktoi një ngjarje të paprecedentë në Policinë e Shtetit, duke çuar në shpërbërjen e të gjithë zinxhirit komandues të komisariatit. Kjo pasi efektivi i RENEA-s Morina rezulton të jetë mik i ngushtë i drejtorit të Policisë së Shtetit, Ilir Proda.