Nëse Shqipëria do të kualifikohet për në Botëror pas dy ndeshjeve të play-off-it në mars, ajo do të jetë pjesë e Grupit F, ku do të përballet me Holandën, Japoninë dhe Tunizinë. Kundër “tulipanëve”, kuqezinjtë kanë pasur katër përballje historike, të gjitha të humbura. Dy prej tyre ishin për kualifikueset e Botërorit (më 24 maj dhe 25 tetor 1964), ndërsa dy të tjerat për kualifikueset europiane (11 tetor 2006 dhe 12 shtator 2007). Shqipëria ka arritur të shënojë vetëm një gol kundër Holandës, me Debatik Currin në ndeshjen që përfundoi 2-1 në vitin 2006, nën drejtimin e trajnerit të ndjerë Oto Bariç.
Nëse kualifikohet, Kosova do të vendoset në Grupin D, ku do të përballet me një nga vendet nikoqire: SHBA-në, Australinë dhe Paraguain.
Grupi i quajtur “i Ferrit” është Grupi I, që përbëhet nga Franca, Senegali, Norvegjia dhe fituesi i play-off-it interkontinental (Bolivia, Surinami ose Iraku).
Brazili do të ketë gjithashtu një grup të vështirë, duke u përballur me Marokun, Skocinë dhe Haitin. Kampionët e Botës, Argjentina, janë vendosur në Grupin J, kundër Algjerisë, Austrisë dhe Jordanisë.
Gjermania do të luajë në Grupin E me Ekuadorin, Bregun e Fildishtë dhe Kurasao-n, ndërsa Italia, nëse kualifikohet, do të ketë përballë Kanadanë, Zvicrën dhe Katarin.
Kampionët e Europës, Spanja, janë vendosur në një grup relativisht të lehtë me Uruguain, Arabinë Saudite dhe Kepin e Gjelbër, ndërsa Anglia do të luajë në grupin e fundit kundër Kroacisë, Panamasë dhe Ganës.
GRUPET:
Grupi A: Meksikë, Koreja e Jugut, Afrika e Jugut, Europë Play off D (Danimarka/Maqedonia e Veriut/Çekia/Irlanda)
Grupi B: Kanada, Zvicër, Katari, Europë Play off A (Italia/Irlanda e Veriut/Uellsi/Bosnja)
Grupi C: Brazil, Marok, Skoci, Haiti
Grupi D: SHBA, Australi, Paraguai, Europë Play off C (Turqia/Rumania/Sllovakia/KOSOVA)
Grupi E: Gjermani, Ekuador, Bregu i Fildishtë, Kurasao
Grupi F: Holandë, Japoni, Tunizi, Europë Play off B (Ukraina/Suedia/Polonia/SHQIPËRIA)
Grupi G: Belgjikë, Iran, Egjipt, Zelandë e Re
Grupi H: Spanjë, Uruguai, Arabia Saudite, Kepi i Gjelbër
Grupi I: Francë, Senegal, Norvegji, Play off-i Interkontinental B (Bolivia/Surinami/Irak)
Grupi J: Argjentinë, Austri, Algjeri, Jordani
Grupi K: Portugali, Kolumbi, Uzbekistan, Play off-i Interkontinental A (Kaledonia e Re/Xhamajka/R.D. Kongo)
Grupi L: Angli, Kroaci, Panama, Gana