Pajisje përgjimi në tragetin Ancona–Durrës, policia sekuestron mjetet por lë të lirë personat

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 06.12.2025, 19:05

Një ngjarje e pazakontë është regjistruar në Portin e Durrësit, ku Policia e Kufirit ka ndaluar një automjet që transportonte pajisje të dyshuara për përgjim. Mjeti vinte nga Ancona drejt Durrësit dhe në të udhëtonin tre shtetas italianë, të cilët janë prezantuar fillimisht si punonjës të Guardia di Finanza.

Trageti ka mbërritur në port rreth orës 23:00 dhe ishte parashikuar të nisej sërish drejt Italisë në orën 07:00 të mëngjesit. Gjatë kontrollit rutinë, autoritetet shqiptare kanë gjetur brenda automjetit pajisje elektronike që dyshohen të jenë mjete për përgjim, duke ngritur alarm për natyrën dhe qëllimin e tyre.

Pas verifikimeve të detajuara, rezultoi se vetëm dy prej personave ishin realisht zyrtarë të Guardia di Finanzës, ndërsa i treti nuk ishte pjesë e strukturave të kësaj force italiane. Të tre u shoqëruan për në komisariat, ku u morën në pyetje lidhur me pajisjet dhe qëllimin e futjes së tyre në Shqipëri.

Ndërsa pajisjet e dyshuara u sekuestruan për ekspertizë të mëtejshme, tre shtetasit italianë u lanë të lirë dhe u kthyen në Itali me të njëjtin traget. Ky vendim ka ngritur shumë pikëpyetje, pasi ende nuk ka një shpjegim zyrtar për motivet e futjes së pajisjeve, përdoruesit e tyre të mundshëm dhe përse personat që i transportonin nuk u mbajtën për hetime të mëtejshme.

Ngjarja mbetet e paqartë dhe pritet që institucionet ligjzbatuese të japin sqarime mbi natyrën e këtyre pajisjeve, funksionimin e tyre dhe nëse ato kanë kryer ose jo përgjime gjatë lëvizjes drejt territorit shqiptar. Hetimet vijojnë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit