Zv.ministri i Brendshëm Qefalia: Atentatet ndodhin kudo!

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 05.12.2025, 20:23

Zëvendësministri i Brendshëm, Xhemal Qefalia, ka ndezur reagime të forta me deklaratat e tij lidhur me dy ngjarjet e fundit të rënda: atentatin pranë aeroportit të Rinasit dhe ekzekutimin e një biznesmeni në Elbasan. Në një intervistë, Qefalia u përpoq t’i zbusë shqetësimet, duke thënë se “ngjarje të tilla ndodhin kudo në botë”, një koment që ka ngjallur kritika të shumta se po normalizon kriminalitetin.

Gjatë bisedës, ai theksoi se emërimi i tij si zv.ministër nuk lidhet aspak me atentatin në Rinas dhe se procesi për postin kishte nisur prej kohësh.

“Është një vlerësim i Kryeministrit Rama. Është një profil që e njoh dhe do të bëj maksimumin për sigurinë publike. Emërimi nuk lidhet me ngjarjen në Rinas,” tha Qefalia, duke mohuar çdo lidhje.

Por deklaratat e tij për kriminalitetin ishin ato që ngritën më shumë pikëpyetje. Qefalia u përpoq të relativizonte situatën duke sjellë shembuj nga vende të tjera:

“Këto ngjarje ndodhin edhe në vende të tjera të botës. Edhe në SHBA patëm një sulm ndaj ushtarëve në Shtëpinë e Bardhë. Nuk duhet të fokusohemi te dy ngjarje për të demoralizuar policinë,” u shpreh ai.

Ai shtoi se vrasja në Elbasan u zbardh “në kohë rekord”, ndërsa sulmi në Rinas “kërkon vëmendje sepse cënon sigurinë publike”.

Deklaratat e zv.ministrit se “nëse nuk ndodhin ngjarje, s’ka polici” janë interpretuar si një përpjekje për të justifikuar situatën, në një kohë kur opinioni publik kërkon më shumë rend, siguri dhe transparencë.

Në rrjetet sociale reagimet nuk kanë munguar, me qytetarë dhe analistë që thonë se krahasimi i Shqipërisë me superfuqi botërore nuk i jep zgjidhje kriminalitetit të përditshëm që godet vendin.

Në një moment ku siguria është në qendër të debatit, pritshmëritë ndaj Ministrisë së Brendshme janë të larta dhe deklarata të tilla vetëm e rrisin tensionin publik.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit