Redaksia e JOQ ka marrë shumë mesazhe dhe denoncime nga qytetarët për anullimin e papritur të udhëtimeve nga kompania ajrore Air Albania, e cila vazhdon të anullojë fluturimet në momentin e fundit pa paralajmërim.
Një prej denoncuesve është Arta, një grua në të 45-at, e cila ka fluturuar transit nga Amerika dhe ndodhet aktualisht në Stamboll. Ajo po pret me padurim të shohë nënën e saj të sëmurë, dhe çdo orë është vendimtare për të. Arta kishte blerë biletën me Turkish Airlines, por për segmentin Stamboll – Tiranë, ajo u la pa informacion dhe mori një email anullimi nga AirAlbania në moment të fundit ku thuhej se "udhëtimi juaj është anulluar", pa asnjë aryse specifike dhe pas një udhëtimi të gjatë nga Amerika që zgjati mbi 10 orë. Ajo tani është e shqetësuar dhe përballet me burokracitë dhe paprofesionalizmin e Air Albania.
Po ashtu, dy të rinj nga Bosnja, që ndodhen në Stamboll, kanë hasur në të njëjtën situatë. Air Albania nuk i përgjigjet në telefon, dhe supervizori i Turkish Airlines u tha atyre se ishte përgjegjësia e Air Albania. Kur ata kontaktuan supervizorin shqiptar të Air Albania, ai nuk ofroi as akomodim e as ushqim por vetëm konfuzion deri udhëtimin tjetër. Ata u ndjenë të poshtëruar dhe ofenduar, duke thënë: "Nuk është kështu siç duhet të trajtohemi si shqiptarë."
Ndërkohë, supervizori turk u konfliktua me atë shqiptar pasi, përveç anulimit të fluturimeve, Air Albania nuk kishte bërë rregullime për të lëshuar bileta të reja me Turkish Airlines. Si përfundim, dy të rinjtë shqiptarë nga Bosnja, që supozohej të fluturonin për në Tiranë, tani duhet të shkojnë në Podgoricë të nesërmen, ku familjarët e shqetësuar do të paguajnë taksi nga xhepi i tyre për t'i marrë.
Arta, duke qenë e shqetësuar dhe e lodhur nga kjo situatë, kishte shumë valixhe. Të gjithë këta shqiptarë ishin detyruar të prisnin edhe 12 orë në aeroportin e Stambollit pa ushqim, pa ujë dhe pa akomodim derisa të vinte udhëtimi tjetër. “Na ka zënë belaja me Air Albania,” shprehet supervizori i Turkish Airlines, dhe tregon se të gjitha fluturimet janë anulluar për muajin Dhjetor.
Air Albania nuk merr përgjegjësinë për këtë situatë, dhe institucionet shtetërore e lejojnë abuzimin e torturimin e pasagjerëve shqiptarë.
