Në mars të këtij viti një aksident fatal u mori jetën 4 të rinjve në Fushë-Prezë, ku pak para mesnatës automjeti i tyre u përplas me një betonjere dhe ata u dogjën brenda makinës.
Mes viktimave ishin Erild Laçi 20-vjeç, i cili sapo ishte kthyer nga Gjermania, vëllai i tij i madh Enejdi, 25-vjeçar, kushëriri i tyre, Andi Laçi 22 vjeç, dhe një mik, Endrikejd Kurti, 24 vjeç, të cilët kishin shkuar në Rinas për të pritur Erildin.
Makina e tyre u përplas me një betonjere që drejtohej pa patentë nga Aleksandër Krashi, i cili pas aksidentit u largua nga vendi i ngjarjes i ndihmuar nga një kushëri i tij. Shkak i aksidentit ishte errësira, fakti që kamini nuk kishte ndriçimin e nevojshëm në pjesën e pasme dhe futja pa paralajmërim në rrugë.
Një ngjarje identike është përsëritur mbrëmjen e sotme, por fatmirësisht pa pasoja. Ky kamion që shikoni në video është filmuar pranë vendit ku ndodhi aksidenti fatal i marsit, pikërisht në të njëjtën mënyrë.
Sipas dëshmitarëve, kamioni pa drita u shfaq nga hiçi dhe u doli përpara mes errësirës duke iu rrezikuar jetën.
“Përshëndetje, rrugës për Fushë-Krujë na doli përpara ky kamioni nga asgjëkundi sepse nuk e pamë prej errësirës, ngaqë ishte pa drita. Te e njëjta rrugë ku para ca kohësh u bë një aksident për shkak të të njëjtit problem dhe humbën jetën 4 çuna të rinj,” shkruan qytetari që dërgon pamjet.
Duket se institucionet kanë dështuar të marrin masat e nevojshme në këtë rast, pavarësisht tragjedisë me 4 viktima që tronditi vendin.
Shkrimi u mor nga TVA News!