Ekzekutimi i biznesmenit në Elbasan, lihet në burg ortaku Xhino Ago dhe roja i karburantit

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 05.12.2025, 13:12

Gjykata e Shkallës së Parë në Elbasan ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Xhino Agon dhe Kujtim Pishën, të dyshuar për përfshirje në vrasjen e biznesmenit Edmond Mëhalla. Seanca u zhvillua me masa të shtuara sigurie dhe me dyer të mbyllura, ndërsa Prokuroria ka kërkuar gjithashtu caktimin e një mase sigurie për Nevzat Spahon, i ndaluar në Prrenjas dhe i dyshuar si ekzekutor, për të cilin pritet të mbahet një seancë më vete gjatë fundjavës.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 30 nëntorit, kur 43-vjeçari Edmond Mëhalla u gjet i vrarë brenda makinës së tij, një Range Rover, në lagjen “Emin Matraxhiu” të Elbasanit. Sapo ishte futur në automjet pas daljes nga zyra, ai u qëllua me armë zjarri dhe mori tre plumba, dy prej të cilëve në kokë, duke ndërruar jetë menjëherë. Zona u rrethua menjëherë nga policia dhe u ngritën pika kontrolli në të gjitha daljet e qytetit.

Sipas hetimeve paraprake, autorët dyshohet të jenë larguar me një automjet Audi të zi në drejtim të aksit Elbasan–Librazhd. Një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për të zbardhur plotësisht motivet dhe rrethanat e krimit, ndërsa vijojnë kontrollet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit