Prokurorët turq kanë lëshuar urdhër-arrest për 46 persona, mes tyre futbollistë të kategorisë së parë, presidentë klubesh, komentatorë dhe figura të tjera të lidhura me sportin, si pjesë e një hetimi të zgjeruar mbi bastet e paligjshme të zhvilluara brenda ligave profesionale të futbollit në Turqi.
Ky hetim i thelluar ka çuar në ndalimin e disa futbollistëve të njohur, përfshirë lojtarë të Fenerbahçes dhe Galatasarayt, duke e shndërruar çështjen në një nga skandalet më të mëdha të basteve sportive që ka goditur futbollin turk vitet e fundit.
Zhvillimi më i fundit ndodhi të premten, kur Prokuroria ndërmori një operacion të gjerë që rezultoi me 46 urdhër-arreste ndaj lojtarëve, trajnerëve dhe gjyqtarëve. Ndër të dyshuarit kryesorë është Mert Hakan Yandaş, 31 vjeç, kapiteni aktual i Fenerbahçes, i cili akuzohet se ka vendosur baste për ndeshjet e ekipit të tij përmes personave të tretë në platforma të licencuara bastesh. Yandaş nuk ka luajtur asnjë minutë këtë sezon, pavarësisht se në vitet e kaluara ka qenë një element kyç në formacionet e José Mourinhos.
Gjithashtu, mes 26 lojtarëve të tjerë të arrestuar ndodhet edhe Metehan Baltacı i Galatasarayt. Ndër zyrtarët e ndaluar janë Metin Korkmaz, president i Adanademirsporit, si dhe Emrah Çelik, drejtori sportiv i Antalyasporit.
Sipas dokumenteve zyrtare, operacioni nisi në orën 07:15 të mëngjesit, me shumicën e arrestimeve të kryera në provincën e Stambollit. Ndërkohë, pesë të dyshuar ndodhen jashtë vendit dhe po kërkohen nga autoritetet për t’u paraqitur përpara gjykatës.