Pas 9 ditësh në intubim, 15-vjeçari Erjon Boba, i cili u plagos në zemër nga një 14-vjeçar në qytetin e Durrësit, ndërroi jetë një ditë më parë.
Banorët e zonës shprehen të tronditur nga ngjarja dhe theksojnë se fëmijët duhet të mbikëqyren më shumë para se të shkojnë në shkollë.
Një prej tyre tha:
”Atë djalin e pata njohur. Na ka tronditur, djali 15-vjeç, por çfarë t’u bësh fëmijëve. Prindërit nuk e dijnë se ç'bëjnë fëmijët në shkollë. Gabimi jonë është se në mëngjes kur del fëmija ne duhet t’i kontrollojnë ka thikë apo jo, edhe shkolla duhet t’i bëjnë një kontroll. Këta janë fëmijë edhe zihen, nga inati e sipër kushedi çfarë nuk iu pret mendja. Ata ndoshta edhe i fshehin thikat, jashtë shkolle”.
Erjon Boba u transportua dy ditë më parë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për ndihmë më të specializuar, por fatkeqësisht nuk mundi të mbijetonte.
Ngjarja ndodhi më 25 nëntor rreth orës 14:00, vetëm 20 minuta nga shkolla “Dom Nikollë Kaçorri”, ku mësonin të dy nxënësit e përfshirë në konflikt. Burimet policore thanë se sherri nisi nga ofendime në rrjetet sociale dhe vazhdoi në shkollë, duke përfunduar tragjikisht me plagosjen. Dyshohet se 15-vjeçari e kishte thirrur autorin 14-vjeçar për t’u sqaruar, ku në takim ishin të pranishëm edhe shokë të dy palëve. Të gjithë janë marrë në pyetje nga policia.
Më 27 nëntor, Gjykata e Durrësit vendosi masën e arrestit me burg për autorin 14-vjeçar.