Banorët e fshatit Llakatund, vetëm 10 kilometra larg qytetit të Vlorës, po përballen çdo ditë me një situatë të papranueshme për shkak të gjendjes së rrugës kryesore të zonës. Një video e xhiruar ditën e sotme tregon qartë realitetin alarmant: gropa të mëdha, ujë i grumbulluar, baltë dhe një infrastrukturë që prej vitesh duket e lënë në mëshirë të fatit.
Automjetet dëmtohen çdo ditë, ndërsa për këmbësorët kalimi është kthyer në rrezik të vazhdueshëm. Rruga duket si e braktisur prej vitesh, pa asnjë ndërhyrje apo mirëmbajtje nga institucionet. Për banorët, kjo gjendje është shndërruar në një torturë të përditshme që u vështirëson punën, lëvizjen dhe jetën e përditshme.
Rruga e Llakatundit ka rëndësi të madhe për komunitetin lokal, pasi lidh direkt zonën me qytetin e Vlorës. Degradimi i saj po izolon banorët dhe po pengon zhvillimin e fshatit, ndërkohë që kërkesat e tyre për ndërhyrje nuk kanë pasur deri më sot asnjë rezultat.
Banorët kërkojnë që situata të marrë vëmendjen e duhur dhe të nisë sa më shpejt rikonstruksioni i rrugës, për t’u rikthyer normaliteti dhe siguria në këtë zonë.