Rruga që lidh njësitë administrative Mamëz dhe Surroj në Bashkinë e Kukësit vijon të jetë në gjendje të mjerueshme, pothuajse e pakalueshme, duke u kthyer në një problem të përditshëm për banorët e zonës. Rikonstruksioni i saj, i shumëkërkuar prej vitesh, mbetet ende pezull pavarësisht premtimeve të bëra gjatë fushatave elektorale.
Sipas banorëve, mungesa e ndërhyrjes së autoriteteve ka vështirësuar ndjeshëm qarkullimin dhe jetesën e tyre, veçanërisht gjatë ditëve me reshje, kur rruga bëhet thuajse e pakalueshme. Ata shprehen se kjo rrugë është jetike, pasi lidh disa fshatra me qytetin dhe shërben si arterie kryesore për lëvizjen e banorëve, nxënësve dhe mjeteve të transportit.
Ndërkohë, në mbledhjet e këshillit bashkiak ka pasur debate lidhur me mosmiratimin e fondeve për rikonstruksionin. Banorët e Surrojit kërkojnë sqarime për ndryshimin e destinacionit të fondeve, duke pretenduar se rruga është financuar më herët, por mjetet monetare janë përdorur për qëllime të tjera.
Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme dhe shqetësimeve të ngritura prej vitesh, deri më sot nuk është marrë asnjë masë konkrete. Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për t’i dhënë fund gjendjes katastrofale të rrugës Mamëz–Surroj dhe për të garantuar lëvizshmërinë e tyre të përditshme.