Nazif Muslija, 50-vjeçari shqiptar i dyshuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Sadjide Muslija, në Ankona të Italisë, është gjetur i plagosur rëndë këtë të enjte. Sipas autoriteteve italiane, plagët e konstatuara tek ai dyshohet se janë pasojë e një tentative vetëvrasjeje.
Ngjarja u zbulua rreth orës 16:30, kur një gjuetar njoftoi policinë pasi gjeti Muslijën në gjendje të rëndë dhe i dha ndihmën e parë. Ndërkohë, Prokuroria e Ankonës ka lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar ndaj tij dhe ka urdhëruar kryerjen e autopsisë mbi trupin e viktimës.
Pas një dite hetimesh intensive, karabinierët e Seksionit të Hetimeve Mjekësore janë rikthyer në banesën ku u gjet e vrarë Sadjide Muslija, për të kërkuar gjurmë të reja dhe objektin me të cilin dyshohet se është goditur. Viktima, sipas mediave italiane, është gjetur me shenja goditjesh të forta në kokë dhe në gjoks, në një ambient të mbushur me dëshmi të dhunës brutale.
Nazif Muslija ishte i njohur më herët për incidente të dhunës në familje. Ai ishte arrestuar në prill, pasi akuzohej për sulm ndaj bashkëshortes me një sëpatë. Që prej mëngjesit të ditës së djeshme, ai rezultonte i zhdukur, ndërsa dyshohet se ishte larguar me një makinë tip “Smart”. Telefoni i tij celular nuk ka qenë i arritshëm që nga momenti i largimit.
Autoritetet italiane po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes së rëndë që ka tronditur komunitetin e Ankonës.