Shqipëria po përballet me paradoksin e radhës!
Ndërsa mijëra shqiptarë vazhdojnë të marrin rrugën e kurbetit drejt vendeve të BE-së, qeveria po planifikon të hapë 20 qendra të reja pritëse për emigrantët nga Afganistani, Siria, Libani dhe Gaza. Qendrat, që do të vendosen në Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër, janë pjesë e një plani kombëtar për menaxhimin e flukseve migratore gjatë viteve 2026–2028 dhe synojnë përballimin e një numri në rritje të personave që kalojnë Ballkanin drejt Greqisë.
Në një kohë kur braktisja e vendit nga shqiptarët po lë bosh tregun e punës dhe komunitete të tëra, ngritja e qendrave të reja për emigrantët e huaj ngre pikëpyetje mbi prioritetet kombëtare dhe kapacitetet reale të shtetit. Lokacionet e identifikuara nga konviktet dhe ambientet sportive në Vlorë, te ish-depot shtetërore në Korçë e Gjirokastër pritet të strehojnë qindra persona, duke shtuar presion mbi infrastrukturën dhe shërbimet lokale.
Përtej kostos financiare, që mund të arrijë deri në 708 milionë lekë në rast skenari krize, rreziqet lidhen me sigurinë, menaxhimin social dhe integrimin e përkohshëm në komunitete të vogla që tashmë po përjetojnë boshatisje të popullsisë. Ndërkohë që Shqipëria humbet qytetarët e saj më të rinj dhe më aktivë, hapja e këtyre qendrave pritet të rikthejë debatin për balancimin e nevojave të brendshme me detyrimet humanitare dhe rajonale.