Krizë në Eurovision 2026: Spanja, Holanda, Sllovenia, Irlanda bojkotojnë festivalin për shkak të Izraelit

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 05.12.2025, 00:13

Eurovision 2026 është përfshirë në një krizë të paprecedentë, pasi Spanja, Irlanda, Sllovenia dhe Holanda kanë njoftuar bojkotin e tyre, në shenjë proteste ndaj pjesëmarrjes së Izraelit në festival, në kushtet e luftës në Gaza.

Sipas deklaratave zyrtare, këto vende kritikojnë “shfrytëzimin politik” të Eurovision-it nga Izraeli dhe thonë se është e pamundur të ruhet neutraliteti i konkursit në situatën aktuale. Holanda përmendi “vuajtjet humanitare në Gaza” dhe “ndërhyrjet politike”, ndërsa Irlanda e quajti pjesëmarrjen e saj të mëtejshme “të pandershme” përballë humbjeve të jetëve dhe krizës humanitare. Edhe Sllovenia u shpreh se nuk do të marrë pjesë për sa kohë Izraeli është i pranishëm.

Përjashtimi i Izraelit u diskutua në një takim të EBU-së, por nuk u hodh në votim. Austria, që pret konkursin vitin e ardhshëm, mbështeti pjesëmarrjen izraelite. Ndërkohë, Izraeli deklaroi se ka ndërhyrë diplomatikisht për të shmangur diskualifikimin, me mbështetje të presidentit Isaac Herzog.

Gjermania, një nga kontribuuesit më të mëdhenj financiarë, kishte paralajmëruar se do të tërhiqej nëse Izraeli përjashtohej. Pas vendimit për të mos e hequr Izraelin, ajo shprehu “keqardhje të thellë” për bojkotin, por mbështeti ndryshimet e reja të rregullores.

Presioni ndaj Izraelit është rritur që nga nisja e luftës në Gaza dy vite më parë, teksa publiku evropian ka shfaqur mbështetje të shtuar në televotim, ndërsa juritë profesionale kanë dhënë vlerësime më të ulëta. Eurovision-i ka njoftuar kufizime të reja për votimin dhe masa kundër ndërhyrjeve të mundshme nga qeveri apo palë të treta, pas raportimeve se qeveria izraelite kishte financuar reklama për të nxitur votimet.

Lista përfundimtare e vendeve pjesëmarrëse pritet të publikohet para Krishtlindjeve, me mundësi të lartë që edhe shtete të tjera t’i bashkohen bojkotit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit