Një video e mbërritur mbrëmjen e sotme në redaksinë e JOQ Albania tregon një situatë tepër të rrezikshme në zonën e Ali Demit në Tiranë. Siç shihet në pamje, një burrë në moshë ecën në mënyrë të paqëndrueshme mes makinave në lëvizje, ndërsa mban përdore një biçikletë.
Ai lëviz me hapa të çrregullt dhe futet mes korsive, duke detyruar drejtuesit e automjeteve të ngadalësojnë shpejtësinë për të shmangur përplasjen. Nga lëvizjet e tij duket sikur mund të jetë në një gjendje të çorientuar, ndoshta si pasojë e konsumimit të alkoolit ose një problemi shëndetësor, megjithatë, kjo mbetet e pakonfirmuar.
Qytetarët që filmuan ngjarjen shprehen të shqetësuar për mungesën e reagimit dhe ndërhyrjes së autoriteteve, teksa një situatë e tillë mund të kishte përfunduar shumë keq brenda pak sekondash.
Fatmirësisht nuk pati të lënduar, por videoja është një kujtesë e fortë se rreziqe të tilla ndodhin çdo ditë dhe kërkojnë vëmendje më të madhe nga institucionet përgjegjëse.