Në vitin zgjedhor 2025, familja Avdyli e njohur ndër vite për përplasjet me drejtësinë dhe akuzat e ngritura në vitin 2018 ndaj disa prej anëtarëve të saj, rezulton të ketë përfituar një tjetër leje me vlerë të lartë ekonomike. Sipas dokumenteve, kompania “Orges Albania 2016”, e themeluar dhe administruar nga Flamur Avdyli, ka marrë dy parcela plazhi në zonën e Durrësit.
Leja, me numër 5055 dhe firmosur në 21 korrik 2025, mban nënshkrimin e kryeministrit Edi Rama dhe ish-ministres së Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro. Burime pranë Vox News pohojnë se miratimi i lejes është bërë shumë më herët, ndërsa publikimi i saj zyrtar është vonuar, për shkak të reagimeve të mundshme që mund të shkaktonte.

Lejet që lidhen me familjen Avdyli
Sipas të dhënave, kompania “Orges Albania 2016” ka marrë dy stacione plazhi të koduara si “DR 515” dhe “DR 516”. Firma është themeluar në vitin 2016 nga Flamur Avdyli dhe fillimisht ka vepruar në fushën e bareve dhe restoranteve, përpara se të shtrihej në aktivitetin e stacioneve të plazhit.
Flamur Avdyli, i njohur për hetimet ndaj tij dhe familjarëve të tjerë në operacionet e policisë së vitit 2018, figuron si aksioneri i vetëm i kompanisë. Pavarësisht akuzave të shumta të ngritura asokohe, kompania e tij ka vijuar aktivitetin pa masa kufizuese nga institucionet, sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit.
Bilanci i dorëzuar për vitin 2024 tregon një fitim prej 32 mijë eurosh, ndërsa kompania njihet për veprimtari sezonale, herë-herë me status të pezulluar e herë aktive.


Akuzat për afërsi politike
Familja Avdyli është përmendur shpesh në raportime mediatike për mbështetjen e saj ndaj mazhorancës, përfshirë edhe në raportimet e gazetës gjermane “Bild”, si dhe në denoncime në media shqiptare për lidhje të mundshme me figura të Partisë Socialiste.
Megjithëse disa pasuri të familjes janë sekuestruar ndër vite, institucionet shtetërore thuhet se janë përballur me vështirësi të vazhdueshme për t’i administruar, t’i nxjerrin në ankand ose t’i japin me qira, sipas burimeve mediatike.
Dhënia e lejes së re për stacion plazhi shton dyshimet se familja Avdyli ka vijuar të ruajë ndikim të konsiderueshëm, veçanërisht në periudha zgjedhore, duke përfituar autorizime të rëndësishme nga institucionet më të larta të shtetit.
