E trishtë! Ndërron jetë në spital 15-vjeçari nga Durrësi që u godit me thikë nga bashkëmoshatari i tij

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 04.12.2025, 19:50

Ka ndërruar jetë në spital 15-vjeçari nga Durrësi, Erion Boba, i cili u plagos rëndë me thikë nga një bashkëmoshatar i tij pak ditë më parë. Lajmi i trishtë ka tronditur familjen, të afërmit dhe gjithë komunitetin, që këto ditë kanë jetuar me shpresën se Erioni do t’ja dilte.

Vetëm dy orë më parë, JOQ Albania publikoi apelin e familjarëve për të ndihmuar me mbledhjen e fondeve, pasi gjendja e të riut ishte tepër kritike dhe kërkohej dërgimi i tij jashtë vendit për mjekim të specializuar. Por, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve dhe lutjeve të familjarëve, Erioni nuk ia doli dot.

Ngjarja e rëndë kishte ndodhur pas një konflikti të nisur në rrjetet sociale, i cili degjeneroi në dhunë fizike. Gjatë përleshjes, i mituri u godit me thikë disa herë, dhe njëra nga plagët i preku zemrën. Për 10 ditë me radhë, ai luftoi mes jetës dhe vdekjes, i shtrirë në gjendje shumë të rëndë në reanimacionin qëndror në QSUT.

Familja e tij, e shkatërruar emocionalisht, kërkoi ndihmë nga çdo shqiptar për të bërë të mundur dërgimin jashtë vendit. Nusja e xhaxhait të Erionit, në një video të dërguar në JOQ Albania, tregonte gjendjen e rëndë të nënës së tij dhe betejën e përditshme që familjarët zhvillonin për të shpëtuar jetën e djalit.

Fatkeqësisht, përpjekjet nuk mjaftuan dhe zemra e 15-vjeçarit pushoi së rrahuri sot, duke lënë pas një dhimbje të pamasë për familjen, miqtë dhe të gjithë ata që u preken nga historia e tij.

Stafi i JOQ Albania u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Boba, të afërmve dhe miqve të Erionit. Qoftë i paharruar kujtimi i tij!

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit