Qeveria ka shpallur nisjen e nismës kombëtare “Cashless Albania 2030”, e cila synon të zhdukë gradualisht pagesat me para fizike, duke i zëvendësuar me ato digjitale. Ministrja Delina Ibrahimaj njoftoi se objektivi është që deri në vitin 2030, 60% e pagesave në vend të jenë elektronike, ndërsa përdorimi i CASH-it të reduktohet në minimum. Megjithatë, kjo politikë ka ngritur shqetësime të forta për pasojat që mund të ketë tek qytetarët dhe bizneset e vogla.
Sipas vendimit, duke nisur nga janari, qytetarëve do t’u kufizohet blerja me para fizike deri në 50 mijë lekë, ndërsa çdo tregtar do të detyrohet të ofrojë një mënyrë pagese elektronike. Nga administrata shtetërore, CASH-i do të hiqet plotësisht.
Por ky plan, që paraqitet si modernizim, ngre disa probleme serioze:
1. Rrezikon qytetarët që nuk kanë akses në banka apo teknologji
Jo të gjithë qytetarët kanë llogari bankare, karta debiti, aplikacione digjitale apo telefona të mençur. Shumë të moshuar, banorë të zonave rurale dhe familje në vështirësi ekonomike rrezikojnë të mbeten të përjashtuar nga sistemi, duke mos qenë në gjendje të kryejnë blerje bazike.
2. I jep bankave kontroll absolut mbi financat e qytetarëve
Zhdukja e parasë fizike detyron qytetarët të përdorin domosdoshmërisht bankat dhe platformat financiare private. Kjo i vendos depozitat, fitimet dhe shpenzimet e tyre nën komisionet bankare, tarifat dhe politikat që ndryshojnë sipas dëshirës së institucioneve financiare. Në praktikë, qytetarët humbasin një të drejtë themelore: të menaxhojnë paratë e tyre pa ndërmjetës.
3. Rrit varësinë nga rrjeti, teknologjia dhe sistemet bankare
Në rast defekti, sulmesh kibernetike, problemeve me rrjetin apo ndërprerjeve të energjisë, qytetarët nuk do të mund të blejnë as gjërat më elementare. CASH-i është i vetmi “plan B” i sigurt që funksionon në çdo situatë.
4. Dëmton fort bizneset e vogla dhe tregtarët e thjeshtë
Detyrimi për të pranuar pagesa elektronike nënkupton kosto shtesë për pajisje, komisione bankare dhe tarifa transaksionesh. Për bizneset e vogla, shitësit ambulantë apo tregtarët e lagjeve, kjo është barrë e panevojshme që ul fitimet dhe vështirëson mbijetesën.
5. Kontroll më i madh shtetëror dhe humbje e privatësisë financiare
Me çdo pagesë të monitoruar elektronikisht, shteti dhe institucionet financiare fitojnë kontroll të plotë mbi lëvizjet ekonomike të individëve. Kjo e kthen çdo qytetar në një subjekt të gjurmuar financiarisht, duke krijuar një realitet të rrezikshëm për liritë personale.
6. Rrezik për abuzime dhe penalitete të tjera
Kufizimi i të drejtës për të paguar me para fizike mund të përdoret më vonë për të vendosur gjoba, penalitete, kontrolle selektive ndaj qytetarëve apo bizneseve, duke e shtuar presionin mbi të.
Qeveria e prezanton këtë nismë si “pjesë e standardeve europiane”, por realiteti është se shumë vende të BE-së i lejojnë qytetarët të përdorin CASH-in pa kufizime të tilla ekstreme. Për më tepër, paraja fizike cilësohet nga institucionet ndërkombëtare si një element i rëndësishëm i lirisë ekonomike dhe si mburojë kundër abuzimeve finansiare.
Në vend që të ndalojë CASH-in, shteti mund të promovonte pagesat elektronike duke i bërë ato më të thjeshta dhe më pak të kushtueshme, por pa cenuar liritë e qytetarëve. Kufizimi i parasë fizike është një hap i rrezikshëm që prek qindra mijëra njerëz dhe ngre pikëpyetje të mëdha mbi drejtimin që po merr ekonomia shqiptare.