Lionel MesSi: Shpresoj të jem në Kupën e Botës

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 04.12.2025, 18:37

Ylli argjentinas lë të hapura të gjitha opsionet për Kupën e Botës, duke folur për mentalitetin fitues të skuadrës kampione të botës, Argjentinës, si edhe për ish-trajnerin e tij Pep Guardiola.

Në një intervistë të plotë për ESPN, ylli i Argjentinës dhe Inter Miami, Lionel Messi, u shpreh për mundësinë e pjesëmarrjes së tij në Kupën e Botës 2026, ndërsa nuk kurseu vlerësimet për Guardiolën. 38-vjeçari, i cili do të jetë 39 gjatë turneut, përsëriti dëshirën për të marrë pjesë, por theksoi se vendimi do të varet nga gjendja e tij fizike.

“Shpresoj të jem atje. E kam thënë edhe më parë se do të doja shumë të isha”, tha Messi. “Në rastin më të keq, do të jem duke e parë nga tribuna, por do të jetë diçka e veçantë. Kupa e Botës është e veçantë për të gjithë, për çdo vend, veçanërisht për ne, sepse e përjetojmë në një mënyrë krejt tjetër”.

Fituesi i Botërorit 2022 vlerësoi edhe gjendjen aktuale të ekipit kombëtar: “Kemi lojtarë të shkëlqyer, dhe kjo është parë prej vitesh, sidomos energjia dhe entuziazmi që nga momenti kur Scaloni mori drejtimin. Është një skuadër plot fitues, me një mentalitet të fortë, që kërkojnë gjithmonë më shumë. Kjo është pika jonë më e fortë”.

Pep Guardiola, “unik” Gjatë intervistës, Messi nuk harroi të përmendte ish-trajnerin e tij te Barcelona, Pep Guardiola, të cilin e cilësoi si më të mirin.

“Për mua, Guardiola është unik”, u shpreh ai. “Ka shumë trajnerë të shkëlqyer, por ai ka diçka të veçantë. Për mua, është më i miri nga të gjithë”.

Messi ishte pjesë thelbësore e Barcelonës së Guardiolës, skuadër që fitoi 14 trofe të mëdhenj midis viteve 2008–2012. Ai shtoi se ndikimi i Guardiolës ka qenë i jashtëzakonshëm jo vetëm te Barça, por edhe në Gjermani me Bayernin dhe në Angli me Manchester Cityn, duke transformuar mënyrën e lojës së atyre ekipeve.

Vështirësia e Kupës së Botës Messi iu rikthye gjithashtu vështirësisë që paraqet një Kampionat Botëror, duke kujtuar humbjen surprizë ndaj Arabisë Saudite në 2022 dhe penalltitë dramatike ndaj Holandës dhe Francës.

“Një Kupë Bote është shumë e vështirë. Çdo ekip mund të të komplikojë lojën, madje edhe të të eliminojë… Në ndeshjen e fundit, edhe pse ishim skuadra më e mirë si kundër Holandës, ashtu edhe kundër Francës, përfunduan te penalltitë, dhe aty patëm bishën që ishte [Emiliano] ‘Dibu’ Martinez, i cili na dha fitoren”.

Shorti për Kupën e Botës 2026, ku Argjentina do të marrë pjesë si kampione në fuqi, do të hidhet të premten në Uashington.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit