Pas dhjetëra denoncimeve në redaksinë tonë dhe kaosit e trafikut të shkaktuar çdo ditë nga shoferët që s'zbatojnë rregullat e qarkullimit, Policia Rrugore më në fund është "zgjuar nga gjumi" dhe i është rikthyer detyrës që duhet të kryejë.
Rrugorja e Tiranës ka njoftuar se gjatë 48 orëve të fundit ka vendosur 163 gjoba ndaj shoferëve që nuk kanë respektuar radhën e lëvizjes, kryesisht në zonën e Unazës së Madhe, ku fluksi i trafikut është më i lartë. Kontrollet janë përqendruar te drejtuesit që shmangin radhën, kryejnë manovra të rrezikshme ose krijojnë kaos në trafik, ndërkohë që janë monitoruar edhe shkelje të tjera si tejkalimi i shpejtësisë, parakalimet e gabuara dhe përdorimi i celularit gjatë ngarjes.
Nga monitorimi në terren, Policia ka vendosur në total: 3 787 masa administrative për shkelje të ndryshme në të gjithë qarkun, përfshirë tejkalimin e shpejtësisë, përdorimin e celularit, mosvendosjen e rripit të sigurimit dhe mungesën e dokumentacionit dhe 163 masa administrative specifikisht për drejtuesit që nuk respektuan radhën e lëvizjes dhe kryen manovra të rrezikshme.
Shpresojmë që ky 'aksion' i Policisë mos të shuhet shpejt pasi me ardhjen e festave të fundvitit fluksi i automjeteve shtohet shumë e bashkë me të edhe kaosi e trafiku nga shoferët e papërgjegjshëm.